Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) në Kosovë ka bërë të ditur të shtunën se ka filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti, për shkak të përfundimit të afatit të përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues tjerë të energjisë.
Këtë paralajmërim e ka bërë më 13 gusht edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në të mirë të këtij institucioni, kur e ka shqyrtuar lëndën në të cilën është bërë kërkesë për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Në treg të hapur kanë dalë 1.300 kompani me rreth 10 mijë njehsorë.
ZRRE-ja i ka thënë të shtunën Radios Evropa e Lirë se deri më tash janë shkëputur 600 njehsorë nga 1.400 në total që do t’i nënshtrohen këtij procesi.
Kjo Zyrë iu ka bërë thirrje bizneseve që të lidhin kontrata gjatë ditës së shtunë me kompanitë e licencuara për furnizim me energji, duke thënë se ato janë duke punuar.
KEDS-i ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se disa njehsorë do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjera fizikisht te kompanitë, dhe që tashmë janë mobilizuar ekipet në gjithë Kosovën.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Për të mos mbetur pa energji, bizneset janë furnizuar përkohësisht – në periudhën 1 qershor deri më 31 korrik – nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces të licencimit.
Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.
Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n, ndërkohë që janë në pritje edhe dhjetëra kërkesa të tjera.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë e kanë pranuar me shqetësim vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.
Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se do ta vazhdojë betejën përmes mjeteve ligjore që i ka dispozicion.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të shtunën se pasojat e këtij vendimi do të jenë dramatike.
“Mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve”, ka thënë ajo përmes një reagimi publik, duke iu bërë thirrje institucioneve të vendit që të ndërhyjnë dhe ta ndalin këtë proces.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.