Katër banesa sociale rinovohen në Prishtinë me ndihmën e Bashkimit Evropian

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga këto punime kanë përfituar 200 familje me gjithsej 790 banorë, me investim prej 1,24 milion euro, nga të cilat 90 për qind janë financuar nga BE-ja.

Është bërë inaugurimi i rinovimit të katër banesave sociale në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, me ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian (BE), raporton Anadolu.

Dy banesa sociale në afërsi të Medresesë në Prishtinë dhe dy të tjera në Hajvali janë rinovuar me izolim të kulmeve, mureve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve dhe vendosjen e sistemeve të reja të ngrohjes e të masave të sigurisë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga këto punime kanë përfituar 200 familje me gjithsej 790 banorë, me investim prej 1,24 milion euro, nga të cilat 90 për qind janë financuar nga BE-ja.

“Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë. Prej gjashtë milionë eurove për 28 ndërtesa sociale në 13 komuna, të cilët përfshijnë 889 familje. Në Prishtinë përveç banesave sociale kemi rinovuar edhe 15 objekte tjera publike në vlerë prej rreth katër milionë euro dhe kemi përkrahur 425 familje me subvencione për izolim të shtëpive të tyre”, theksoi Kurti.

Ai tha se këto janë hapa konkret për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për t’i bërë ndërtesat më efiçiente, më të sigurta dhe më të shëndetshme.

Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë theksoi se vetëm për dy ndërtesa sociale në Prishtinë janë investuar rreth 650 mijë euro, nga të cilat 90 për qind nga BE-ja dhe 10 për qind nga Komuna e Prishtinës.

Ai tha se projekti ka mundësuar izolim termik, dritare të reja me efiçiencë energjetike, sistem ndriçimi, përmirësim të hapësirave të përbashkëta dhe zëvendësim të derës hyrëse.

“Pa dyshim që projekte të ngjashme duhet të regjistrohen në sektorin rezidencial, veçanërisht në ndërtesat shumëbanesore ku potenciali për kursim të energjisë është i lartë dhe ndikimi në kushtet e jetës është shumë pozitiv për qytetarët”, tha ai.

Kursimi i Energjisë për ndërtesat e rinovuara parashihet të jetë rreth 50 për qind tek të gjitha ndërtesat.

Rinovimi i këtyre ndërtesave është pjesë e një projekti që përfshin 28 ndërtesa në 13 komuna të Kosovës, i financuar nga BE në kuadër të një pakoje emergjente prej 6 milionë eurosh. Projekti është financuar 90 për qind nga BE-ja dhe 10 për qind nga vetë komunat, ndërsa është zbatuar nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë i Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi