Jürgen Klopp rikthehet fuqishëm, bëhet selektori i ri i Gjermanisë

Trajneri i njohur i futbollit, Jürgen Klopp (59), është bërë zyrtarisht selektori i ri i Kombëtares së Gjermanisë, konfirmoi sot Federata Gjermane e Futbollit (DFB).

DFB së fundmi shkarkoi Julian Nagelsmannin pas dështimit të madh në Kampionatin Botëror të zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa shumë shpejt arriti marrëveshje me Kloppin që ta pasojë trajnerin e ri gjerman.

Për Kloppin, ky është një rikthim i madh në skenën e futbollit, pasi gjatë një viti e gjysmë të fundit ishte i angazhuar te Red Bull, ku mbante postin e drejtuesit të operacioneve globale të futbollit të kompanisë.

Më herët, ai ishte për nëntë vjet trajner i Liverpoolit dhe shkroi historinë me klubin nga Anfield, duke fituar titullin e kampionit të Anglisë dhe një trofe të Ligës së Kampionëve.

Klopp ka nënshkruar kontratë me DFB-në deri në verën e vitit 2030, përkatësisht deri në përfundimin e Kampionatit Botëror që atë vit do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.

Prezantimi i Kloppit fillon në orën 11:00, ndërsa në sallën e konferencave të DFB-së tashmë është përgatitur vendi me emrin e tij si selektor i Gjermanisë.

Në stafin profesional të Kloppit do të punojnë Peter Krawietz, Pepijn Lijnders dhe Sven Bender.

Kategoritë
Sport