Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këtë javë do të vizitojë Hungarinë, pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për krime të supozuara lufte në Gaza.
Udhëtimi i Netanyahut, i cili u njoftua të dielën nga zyra e tij, po ndodh me ftesë të kryeministrit hungarez Viktor Orbán. Vizita, e caktuar nga e mërkura deri të dielën, vjen në një kohë kur Orbán tashmë e ka hedhur poshtë urdhrin e arrestimit që në momentin kur ai u publikua në nëntor.
Orbán, një udhëheqës i djathtë që shpesh përplaset me Bashkimin Evropian për çështje të normave demokratike, e ka bërë të qartë se Hungaria nuk do të zbatojë vendimin e ICC-së. Sipas gazetës “The Times of Israel”, Netanyahu do ta shfrytëzojë vizitën e tij në Hungari këtë javë për të siguruar mbështetjen hungareze për planin e Trumpit për spastrimin etnik në Gaza.
“Netanyahu po përpiqet të ndërtojë një koalicion sa më të madh shtetesh që e mbështesin planin e Trumpit për Gazën,” ka thënë një burim anonim për gazetën.
Trump në shkurt prezantoi vizionin e tij për Gazën, i cili përfshin spastrimin etnik të territorit nga palestinezët dhe shndërrimin e saj në një vendpushim mesdhetar. Hungaria nuk është deklaruar publikisht për propozimin e Trumpit, por vizita e Netanyahut sugjeron se ai po kërkon mbështetje ndërkombëtare për planin e diskutueshëm.
Edhe pse Hungaria, si anëtare e BE-së, është e obliguar të respektojë vendimet e ICC-së, nga Budapesti nuk ka ardhur asnjë reagim zyrtar për vizitën e ardhshme.
Nën udhëheqjen e Viktor Orbánit, Hungaria ka ofruar edhe më parë strehim për politikanë dhe zyrtarë të akuzuar për korrupsion, keqpërdorim pushteti dhe procese të tjera ligjore në vendet e tyre.
Shembulli më i njohur është ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili në vitin 2018 iku në Hungari pasi u dënua me burg në vendin e tij për korrupsion. Qeveria e Orbánit ia dha menjëherë azilin politik, pavarësisht kërkesave të Shkupit për ekstradimin e tij.
Kjo do të jetë vizita e dytë ndërkombëtare e Netanyahut që nga lëshimi i urdhrave të arrestimit nga ICC për të dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant. Në shkurt, Netanyahu udhëtoi në Washington për t’u takuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat ndaj liderëve të vet, duke i quajtur “të rreme dhe absurde”. ICC ka lëshuar gjithashtu urdhër-arresti për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri.
Të shtunën, Hamasi njoftoi se e ka pranuar një propozim të ri armëpushimi të paraqitur nga ndërmjetësuesit. Izraeli, megjithatë, dha një kundërpropozim.
Gjatë një sulmi izraelit të dielën, në ditën e parë të Bajramit, u vranë tetë persona, përfshirë pesë fëmijë.