Basketbollistët e Panathinaikosit grek mbrëmë, në kuadër të ndeshjes së Euroligës, ishin mysafirë të Maccabit izraelit në Tel Aviv, ku trajneri turk Ergin Ataman u prit me armiqësi.
Ataman duket se është person i padëshiruar në Tel Aviv, ku izraelitët ia kanë bërë ferrin disa herë radhazi.
Së pari, më shumë se 300 tifozë të Maccabit e pritën delegacionin e Panathinaikosit përpara hyrjes së palestrës, ku e fyen rëndë Atamanin, ndërsa gjithçka vazhdoi edhe në parket, përkatësisht në tribuna.
Kur Ataman doli në fushë, u krijua një zhurmë e jashtëzakonshme nga fyerjet e drejtuara ndaj trajnerit turk, ndërsa disa tifozë tundnin flamurin izraelit përpara tij.
Në Panathinaikos nuk e fshehën indinjatën ndaj këtij sjelljeje të tifozëve në Izrael.
“Më shumë se 300 tifozë të Maccabit e pritën delegacionin e Panathinaikosit menjëherë para hyrjes në dhomat e zhveshjes, duke fyer trajnerin tonë kryesor Ergin Ataman dhe pjesën tjetër të ekipit tonë”, thuhet në njoftimin e Panathinaikosit.
Për këtë pritje folur pas ndeshjes edhe vetë Ataman, të cilit nuk i ishte aspak e lehtë ajo që përjetoi.
“Vjen në fushë për të bërë punën tënde dhe 10.000 njerëz duan të futen në fushë. Më pritën para dhomave të zhveshjes dhe pastaj për 40 minuta më fyen brutalisht, dhe askush nuk bën asgjë”, tha Ataman dhe shtoi:
“Kjo nuk është basketboll. Kjo nuk është sport. Unë bëj punën time dhe jam krenar që po e udhëheq ekipin drejt playoff-it dhe drejt titullit”.
Ai zbuloi gjithashtu se para dy vitesh kishte marrë një mesazh që të mos vinte më në Izrael.
“Këtë e tha dikush nga Tel Avivi, por nuk më intereson dhe erdha. Megjithatë, Euroliga duhet të merret me këtë, nëse duan të krahasohen me NBA-në. Po të ndodhte diçka e tillë atje, 40 minuta të tilla… Kjo është problem i Euroligës. Unë erdha dhe do të vij përsëri”, u shpreh Ataman me zemërim.
Ndërkohë, Maccabi e mposhti Panathinaikosin 75:71 në këtë ndeshje, ku drejt fitores e udhëhoqi Gabriel Lundberg me 16 pikë, ndërsa Tamir Blatt shënoi 15 pikë. Te Panathinaikos, Jerian Grant realizoi 14 pikë.
Klubi nga Athina aktualisht është i teti në tabelë me bilanc 14-9, ndërsa Maccabi është i 14-ti me bilanc 9-14.










