Izraeli synon të marrë nën kontroll strehën e fundit të palestinezëve: Në shënjestër rezervuarët e lashtë 2.000-vjeçarë pranë Betlehemit

Politikanët izraelitë të ekstremit të djathtë kanë paralajmëruar marrjen nën kontroll të Pellgjeve të Solomonit, rezervuarëve të lashtë të ujit pranë Betlehemit. Me këtë veprim, Izraeli mund ta shkelë marrëveshjen e paqes dhe t’ua marrë palestinezëve një nga vendet e pakta të mbetura për pushim dhe rekreacion në këtë zonë.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, së fundmi kërcënoi hapur se do t’i anulonte marrëveshjet që konfirmojnë pronësinë palestineze mbi këtë lokalitet. Që atëherë, prania e kolonëve dhe ushtrisë izraelite përreth pellgjeve është shtuar ndjeshëm.

Pellgjet e Solomonit përbëjnë një sistem monumental ujësjellësi, ndërtimi i të cilit daton që nga shekulli i dytë para erës sonë dhe që më vonë u zgjerua nga romakët, osmanët dhe britanikët.

Edhe pse dikur përdoreshin për furnizimin e Jerusalemit me ujë, sot këto rezervuare, të thella deri në 10 metra, janë vendi kryesor i grumbullimit të banorëve lokalë.

Duke qenë se Betlehemi është rrethuar nga vendbanime të reja izraelite, pellgjet janë shndërruar në të vetmen strehë në natyrë për familjet dhe fëmijët nga fshatrat e afërta Artas dhe Al-Khader.

“Ky është tashmë i vetmi vend në të gjithë Betlehemin ku mund të gjeni hapësirë për t’u ulur dhe për ta shijuar ujin, hijen dhe gjelbërimin, ndërsa tani po përpiqen të na e vjedhin”, paralajmëroi Mahmoud Jaber, aktivist dhe bujk lokal.

Situata u përshkallëzua në muajin maj, kur ministri Smotrich dhe politikani Zvi Sukkot urdhëruan policinë që t’i dëbonte palestinezët nga lokaliteti, në mënyrë që zyrtarët izraelitë të mund të filmoheshin duke notuar dhe duke pretenduar se ajo ishte toka e tyre.

Që atëherë, ndërhyrjet janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Incidenti më i rëndë ndodhi më 10 korrik, kur ushtarët izraelitë hynë në lokalitet dhe hodhën gaz lotsjellës, ndërkohë që fëmijët palestinezë po laheshin në pellgje.

Përveç rëndësisë historike dhe arkeologjike, kapaciteti prej 250.000 metrash kub i bën ato një nga sistemet më të mëdha të ruajtura të ujësjellësit nga bota e lashtë. Pellgjet kanë gjithashtu një rëndësi të madhe politike.

Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995, pellgjet ndodhen në “Zonën A”, e cila është nën kontrollin e plotë civil dhe policor palestinez.

Marrja nën kontroll e këtij lokaliteti do të përbënte një precedent të rrezikshëm dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Autoritetit Palestinez, pasi do të nënkuptonte se Izraeli mund të përvetësojë pjesë të Zonës A sipas dëshirës së tij.

Ministri Smotrich as që e fsheh këtë synim. Gjatë vizitës së tij në pellgje, ai deklaroi se kalimi i këtij lokaliteti nën kontrollin e palestinezëve ishte “një nga gabimet e tmerrshme” të Marrëveshjes së Oslos, duke shtuar se qeveria e tij “po punon intensivisht për ta riparuar atë dëm”.

Kategoritë
BotaLajme