Izraeli regjistron mbi 100 raste të lisë së majmunit

Izraeli ka porositur 12 mijë doza vaksinash mes rritjes së numrit të rasteve të konfirmuara.

Izraeli ka regjistruar mbi 100 raste të lisë së majmunit, njoftoi Ministria izraelite e Shëndetësisë.

“Lija e majmunëve është një sëmundje virale e karakterizuar nga ethe, një skuqje me flluska të mbushura me lëng dhe nyje limfatike”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministria u bëri thirrje qytetarëve me simptoma që t’u drejtohen mjekëve.

Sipas deklaratës, autoritetet izraelite janë në proces të blerjes së 12 mijë dozave të vaksinës kundër virusit, duke shtuar se 2.000 doza do të mbërrijnë menjëherë dhe pjesa tjetër do të pasojë në javët në vijim.

Javën e kaluar, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, tha se rastet dhe vdekjet nga koronavirusi po rriten, duke shtrënguar sistemet shëndetësore, ndërsa gjithashtu edhe lija e majmunëve ka shënuar rritje me 9.200 raste të raportuara në 63 vende.

Kategoritë
BotaLajme