Komisioni parlamentar izraelit për Sigurinë Kombëtare miratoi të hënën një projektligj që parashikon rivendosjen e dënimit me vdekje për personat e dënuar për “akte terroriste”. Iniciativa është propozuar nga ministri i ekstremit të djathtë për siguri kombëtare, Itamar Ben Gvir.
Projektligji, që përbën një ndryshim në Kodin Penal ekzistues, do të dërgohet në Knesset për leximin e parë. Nëse miratohet në tre lexime, Izraeli do të rikthente dënimin me vdekje për herë të parë pas më shumë se gjashtë dekadash.
Ben Gvir ka kërcënuar se partia e tij do të largohet nga koalicioni qeverisës nëse ligji nuk votohet deri të dielën, duke vënë në rrezik mbijetesën e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Çdo terrorist që planifikon të vrasë një izraelit duhet ta dijë se ekziston vetëm një ndëshkim – vdekja,” deklaroi Ben Gvir, duke shtuar se ligji nuk do të lejojë asnjë diskrecion gjyqësor.
Sipas projektligjit, dënimi me vdekje do të jetë i detyrueshëm për çdo person të dënuar për vrasje të kryer nga “motive raciste, urrejtje ndaj popullit izraelit ose me qëllim të dëmtohet shteti i Izraelit”. Vendimi do të jetë i pakthyeshëm dhe do të merret nga shumica e gjyqtarëve.
Koordinatori shtetëror për pengjet dhe personat e zhdukur, Gal Hirsch, deklaroi se ai dhe kryeministri Netanyahu e mbështesin ligjin. “Kryeministri e mbështet këtë nismë. Mendoj se është një mjet shtesë në luftën kundër terrorizmit dhe për lirimin e pengjeve,” tha Hirsch.
Ai më herët kishte kundërshtuar propozimin, duke argumentuar se ai mund të rrezikonte jetën e pengjeve izraelite në Gaza, por tani ka ndryshuar qëndrim.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme palestineze me seli në Ramallah e ka dënuar ashpër projektligjin, duke e quajtur atë “një formë të re të ekstremizmit dhe krimit izraelit”. “Ky është një hap i rrezikshëm që synon të vazhdojë gjenocidin dhe pastrimin etnik nën maskën e ligjit,” thuhet në deklaratë.
Edhe lëvizja palestineze Hamas ka reaguar ashpër, duke thënë se ky veprim “zbulon fytyrën fashiste të okupimit izraelit dhe shkel në mënyrë flagrante të drejtën ndërkombëtare”. Hamas u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare të ndërhyjnë menjëherë për ta ndaluar këtë akt brutal.
Në praktikë, dënimi me vdekje në Izrael nuk është zbatuar që prej vitit 1962, kur u ekzekutua Adolf Eichmann, një nga arkitektët e Holokaustit nazist, i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Që prej asaj kohe, asnjë person nuk është ekzekutuar, ndërsa dënimi i fundit me vdekje u shqiptua në vitin 1988 ndaj John Demjanjuk, por u anulua pesë vjet më vonë.
Sipas ligjit aktual, dënimi me vdekje lejohet vetëm për krime kundër njerëzimit dhe tradhti shtetërore, ndërsa për vrasje aplikohet dënimi me burgim që nga viti 1954.
Propozimi i Ben Gvirit vjen vetëm disa ditë pasi ai publikoi një video ku shihet mbi një grup të burgosurish palestinezë të shtrirë për tokë me duart e lidhura, duke kërkuar që “terroristëve t’u jepet dënimi me vdekje”. Pamjet shkaktuan valë reagimesh në Izrael dhe jashtë tij.
Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se ministri ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet në burgjet izraelite, duke kufizuar vizitat familjare, ushqimin dhe qasjen në ujë e dush, ndërsa disa të burgosur palestinezë kanë humbur jetën për shkak të torturave dhe neglizhencës mjekësore.
Aktualisht, në burgjet izraelite ndodhen mbi 10.000 palestinezë, përfshirë gra dhe të mitur. Nëse ligji miratohet, ai do të përfaqësonte një kthesë dramatike në politikën penale të Izraelit dhe një goditje serioze ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kritikët paralajmërojnë se ky hap mund të nxisë dhunë të re dhe të përforcojë imazhin e Izraelit si shtet që përdor masa represive kundër popullit palestinez.













