Mediat amerikane raportuan se njësitë ushtarake izraelite kanë nisur një operacion tokësor për pushtimin e plotë të Gazës. Tanket izraelite hynë në qendrën e Gazës dhe sulmet ajrore u shtuan. Që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka kryer sulme nga ajri, toka dhe deti mbi Rripin e Gazës, duke lënë pothuajse 65 mijë palestinezë të vrarë.
Sipas Axios, gazetari Barak Ravid, duke iu referuar zyrtarëve izraelitë, tha se tanket kanë hyrë në qendrën e qytetit të Gazës. Lajmi erdhi menjëherë pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Izrael.
Shpërthimet u dëgjuan edhe në Tel Aviv
Mediat palestineze raportuan se ushtria izraelite ka kryer sulme intensive në Gaza me dronë dhe helikopterë Apache. Në mediat izraelite u tha se shpërthimet në qytetin e Gazës janë dëgjuar deri në Tel Aviv dhe qytetet e tjera qendrore, ndërsa në vendbanimin Netivot në jug, nga fuqia e shpërthimeve janë thyer xhamat e dritareve.
Më 8 gusht, qeveria izraelite, me propozim të kryeministrit Binyamin Netanyahu, miratoi planin që parashikon pushtimin gradual të Gazës. Para operacionit të gjerë tokësor, ushtria izraelite kishte nisur bombardimet e shumë ndërtesave, sidomos atyre shumëkatëshe, duke pretenduar se përdoreshin nga Hamasi.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit: Gaza po digjet
Ministri i Mbrojtjes, Yisrael Katz, shkroi në rrjete sociale: “Gaza po digjet, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po godasin me grusht të hekurt strukturat terroriste. Ushtarët izraelitë po luftojnë me guxim për të krijuar kushtet e nevojshme për lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të tërhiqemi derisa misioni të përfundojë.”
Familjet e pengjeve të shqetësuara
Pas lajmeve për intensifikimin e sulmeve ajrore mbi Gazën, platforma e përbashkët e familjarëve të pengjeve izraelite publikoi një deklaratë me shkrim: “Sonte, me fillimin e sulmeve intensive në Gaza, jemi thellësisht të shqetësuar. Kjo është nata e 710-të në Gaza dhe mund të jetë nata e fundit për pengjet që kanë mbijetuar. Madje mund të jetë nata e fundit për gjetjen dhe varrosjen e trupave.”
Në deklaratë theksohet se në qytetin e Gazës ende ka shumë pengje të gjalla dhe se Netanyahu po zgjedh me qëllim t’i sakrifikojë ata për llogari politike.
U theksua gjithashtu se Netanyahu është përgjegjës për jetën e pengjeve dhe se populli izraelit nuk do ta falë kurrë sakrifikimin e pengjeve dhe ushtarëve.
Raportohet se kërkesa e familjeve të pengjeve për t’u takuar me ministrin e Mbrojtjes Yisrael Katz, ministrin e Çështjeve Strategjike Ron Dermer dhe Shefin e Shtabit Eyal Zamir, për të marrë informacione mbi sulmet në Gaza, është injoruar.