Izraeli blen 12 helikopterë sulmues Apache, avionët amerikanë blihen nga fondi për komunitetet arabe

Izraeli blen 12 helikopterë sulmues Apache, avionët amerikanë blihen nga fondi për komunitetet arabe

Qeveria izraelite miratoi këtë mëngjes, përmes një votimi telefonik, transferimin e rreth një miliard shekelëve, më shumë se 300 milionë dollarë, për Ministrinë e Mbrojtjes, për atë që u cilësua si “blerje urgjente sekrete”. Pjesa më e madhe e fondeve do të merret nga plani pesëvjeçar i investimeve për komunitetin arab në Izrael.

Sipas Times of Israel, paratë do të përdoren për blerjen e një skuadriljeje prej 12 helikopterësh sulmues Apache, të cilët Forcat Ajrore izraelite i kërkojnë prej disa vitesh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin miratuar në janar mundësinë e shitjes së këtyre helikopterëve, me një vlerë prej 3.8 miliardë dollarësh.

Sipas draft-vendimit, nga plani për komunitetin arab do të merren 169 milionë shekelë në vitin 2027, 342 milionë në vitin 2028 dhe 453 milionë në vitin 2029. Portali izraelit Arutz Sheva raporton se në total do të ridrejtohen 1.032 miliardë shekelë, prej të cilëve 964 milionë nga buxheti për zhvillimin e komunitetit arab, ndërsa 68 milionë shekelë këtë vit nga fondi për pagesën e interesave.

Vendimit i paraprinë disa javë përplasje për buxhetin ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave. Në media u raportua, me sa duket nga burime të afërta me sektorin e mbrojtjes, se Izraeli kishte humbur afatin për finalizimin e marrëveshjes me Boeing dhe se dorëzimi i helikopterëve mund të vonohej për disa vite, pasi ata mund t’i kalonin një blerësi tjetër.

Ynet raportoi se Boeing u kishte bërë të ditur zyrtarëve izraelitë se helikopterët do t’u ofroheshin blerësve të tjerë, pasi kontrata ende nuk ishte nënshkruar dhe pagesa nuk ishte kryer.

Shpenzimet ushtarake të Izraelit janë rritur ndjeshëm për shkak të luftërave në Gaza, Liban dhe Iran, si dhe operacioneve në Jemen pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Buxheti i miratuar në mars i kishte ndarë tashmë Ministrisë së Mbrojtjes një shumë rekord prej 143 miliardë shekelësh, që përbën rreth 17 për qind të shpenzimeve të përgjithshme.

Në korrik, Ministria e Financave transferoi edhe 15 miliardë shekelë shtesë për ushtrinë, pasi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit paralajmëruan se disa njësi rrezikonin të mbeteshin pa financim dhe të ndërprisnin aktivitetin.

Kategoritë
BotaLajme