Një djalë palestinez 14-vjeçar, me diagnozë autizmi në shkallë 100%, dyshohet se ka pësuar dhunë të rëndë fizike, seksuale dhe psikologjike që nga momenti i arrestimit dhe gjatë paraburgimit në një institucion izraelit.
Rasti nxjerr në pah brutalitetin e dyshuar të autoriteteve izraelite dhe shpërfilljen e plotë ndaj të drejtave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Sipas një raporti të publikuar nga gazeta hebraike Haaretz, fëmija – banor i Jaffas – u arrestua më 31 tetor. Forcat izraelite të ushtrisë dyshohet se hynë me forcë në shtëpinë e të afërmve të tij në Bregun Perëndimor herët në mëngjes, duke shkaktuar kaos dhe panik të përgjithshëm.
“Dhjetëra ushtarë hynë në orën 4:30 të mëngjesit, duke u drejtuar fëmijëve me armë dhe me drita të forta. Djali im dridhej nga frika dhe nuk mund të ngrihej në këmbë,” rrëfeu e ëma.
Megjithë diagnozën e tij mjekësore të aftësisë së kufizuar të plotë për shkak të autizmit dhe këmbënguljen e familjes se “ai nuk ishte i përfshirë në asgjë”, policia izraelite e akuzon atë për vepra të rënda sigurie, përfshirë “kontakt me Hamasin dhe ISIS-in”, “fotografim të lokacioneve në Izrael” dhe “tentativë për përgatitje eksplozivi”.
Aktivistët për të drejtat e njeriut i kanë quajtur këto akuza të ekzagjeruara dhe të pabarabarta, duke marrë parasysh gjendjen e tij të rëndë shëndetësore dhe mendore.
Haaretz zbulon detajin më tronditës të rastit: djali kishte paralajmëruar disa herë autoritetet se shokët e dhomës – më të rritur se ai – “po e detyronin të bënte gjëra”.
Megjithatë, gjyqtari për të mitur dyshohet se nuk ka urdhëruar zhvendosjen e tij në një qeli tjetër dhe as nuk i ka ofruar mbrojtje.
Vetëm pasi u raportua një “sulm i qartë seksual”, policia nisi hetimin ndaj të dyshuarve. Fëmija më pas u zhvendos në izolim – një masë që u mor vetëm pasi ndodhi tragjedia, e jo për ta parandaluar atë.
Ky rast jo vetëm që zbulon mizoritë e dyshuara në trajtimin e fëmijëve palestinezë nga autoritetet izraelite, por edhe tregon se si sistemi izraelit i sigurisë dhe drejtësisë i ngarkon një fëmije me aftësi të kufizuara akuza të rënda sigurie, pa marrë parasysh të drejtat e tij themelore si i mitur dhe si person me aftësi të kufizuara.
Kjo konsiderohet shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht e Konventës për të Drejtat e Fëmijës.


















