Tomer-Yerushalmi u ndalua me dyshimin për pengim të drejtësisë dhe shkelje të besimit
Policia izraelite arrestoi avokaten e përgjithshme ushtarake në largim, Yifat Tomer-Yerushalmi dhe kolonelin në pension Matan Solomesh, ish-kryeprokurorin ushtarak të ushtrisë, si pjesë e një hetimi mbi rrjedhjen e një videoje që tregon ushtarët izraelitë duke sulmuar brutalisht një të ndaluar palestinez në burgun ushtarak “Sde Teiman” në jug të Izraelit, transmeton Anadolu.
Tomer-Yerushalmi u ndalua me dyshimin për pengim të drejtësisë dhe shkelje të besimit, tha transmetuesi publik i Izraelit KAN. Policia do të vendosë pas pyetjeve nëse do të kërkojë apo jo zgjatje të paraburgimit të saj.
Ajo pritet të merret në pyetje me akuzat për pengim të hetimit, rrjedhje të materialeve të klasifikuara dhe dhënie të dëshmive të rreme pasi u lidh me publikimin e pamjeve filmike, sipas transmetuesit. Policia thotë se ajo gënjeu dy shefa të shtabeve, Gjykatën Supreme, të pandehurit dhe publikun.
KAN tha se mesazhet dhe dëshmitë në posedim të policisë tregojnë se Solomash e dinte që Tomer-Yerushalmi ishte pas rrjedhjes së informacionit, por nuk e raportoi atë kur u nis një hetim i brendshëm.
E përditshmja “Yedioth Ahronoth tha se policia kërkoi zgjatje pesë-ditore të paraburgimit të Solomeshit si pjesë e hetimit. Tomer-Yerushalmi dha dorëheqje të premten, duke i dhënë fund një mandati që filloi në vitin 2021, mes trazirave rreth asaj se kush e publikoi videon, e cila shkaktoi zemërim vendas dhe ndërkombëtar dhe thirrje për të mbyllur burgun famëkeq “Sde Teiman”.
Në letrën e saj të dorëheqjes drejtuar shefit të Shtabit, Eyal Zamir të botuar nga e përditshmja “Haaretz”, ajo shkroi: “Unë autorizova publikimin e materialit në media për të kundërshtuar propagandën e rreme kundër sistemit ushtarak të zbatimit të ligjit”. Ajo shtoi se merr “përgjegjësi të plotë” për çdo material që arriti në media.
Gazeta tha se figura të shquara të krahut të djathtë vazhduan nxitjen kundër saj pasi videoja u shfaq. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz tha se ajo nuk do të kthehej në postin e saj “për shkak të seriozitetit të dyshimeve” dhe sinjalizoi se së shpejti do të emërojë zëvendës të përkohshëm dhe do të nisë procesin për të emëruar avokat të përgjithshëm të ri ushtarak.
Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir tha në Telegram se Tomer-Yerushalmi u vu nën mbikëqyrje të rreptë në paraburgim “për sigurinë e saj”.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të dielën se incidenti i abuzimit në “Sde Teiman” ishte “më dëmtuesi” për imazhin e Izraelit dhe atë të ushtrisë së tij.
Videoja e publikuar në gusht 2024, tregonte ushtarë që rrethonin një të ndaluar palestinez të prangosur dhe të shtrirë me fytyrë përtokë dhe e rrihnin atë me mburoja kundër trazirave. I ndaluari, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur, u shtrua më vonë në spital me lëndime të rënda.
Në shkurt, prokurorët ushtarakë akuzuan 5 ushtarë për sulmin. Aktakuza thotë se ushtarët e rrahën të ndaluarin pasi ai u soll në objekt më 5 korrik 2024, duke shkaktuar fraktura të shumta dhe shqyerje të brendshme të rektumit.
Një gjykatë vendosi urdhër heshtjeje për emrat e të pandehurve. Ndërkohë ata nuk janë në paraburgim dhe nuk përballen me kushte kufizuese.
Më shumë se 10 mijë palestinezë mbahen aktualisht në burgjet izraelite, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, sipas grupeve palestineze dhe izraelite të të drejtave të njeriut. Disa të burgosur palestinezë kanë vdekur në paraburgim.
					











