Siria ka parandaluar dy tentativa të ndara atentati nga ISIL-i kundër presidentit Ahmed al-Sharu, raportuan për agjencinë Reuters dy zyrtarë të lartë.
Burimet – një zyrtar i lartë i sigurisë siriane dhe një zyrtar nga Lindja e Mesme – thanë se tentativat për atentat ndaj al-Sharut janë parandaluar gjatë muajve të fundit, duke nënvizuar kërcënimin e drejtpërdrejtë me të cilin ai përballet teksa përpiqet të konsolidojë pushtetin në një vend të shkatërruar nga 14 vjet luftë civile.
Sipas burimeve, në një rast plani i ISIL-it kishte si objektiv një paraqitje publike të paralajmëruar të presidentit, por detaje të tjera nuk janë dhënë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Lajmet për këto tentativa vijnë në një moment kur Siria po përgatitet t’i bashkohet koalicionit global të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik, ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump pritet të presë Sharun në Shtëpinë e Bardhë të hënën — një takim historik, i pari ndonjëherë midis një presidenti amerikan dhe një presidenti sirian.
Presidenti sirian Ahmed al-Sharu, i cili mori pushtetin në dhjetor të kaluar pas rrëzimit të Bashar al-Assadit nga forcat rebele, po përpiqet të ndërtojë imazhin e një lideri të moderuar. Ai shpreson se takimi me Trumpin do t’i hapë rrugën mbështetjes ndërkombëtare për rindërtimin dhe rimëkëmbjen afatgjatë të Sirisë.
Gjatë fundjavës, ministria siriane e Brendshme nisi një fushatë kombëtare kundër celulave të ISIL-it në të gjithë vendin, ku u arrestuan më shumë se 70 persona, raportuan mediat shtetërore.
Një zyrtar i lartë sirian tha se operacionet u bazuan në të dhëna të inteligjencës, sipas të cilave grupi po planifikonte sulme ndaj qeverisë dhe anëtarëve të pakicave fetare siriane.
Fushata kishte gjithashtu për qëllim të tregonte se shërbimet siriane të sigurisë janë thellësisht të infiltruar në grupin terrorist dhe se anëtarësimi në koalicionin ndërkombëtar do të përfaqësonte një kontribut të rëndësishëm në luftën globale kundër militantëve.
ISIL-i po përpiqet të riaktivizohet në Siri pas rrëzimit të Assadit, duke e portretizuar afrimin e Sharut me Perëndimin dhe premtimet e tij për qeverisje gjithëpërfshirëse si “tradhti ndaj Islamit”.
Në qershor, 25 persona u vranë në një sulm vetëvrasës ndaj një kishe në Damask, për të cilin qeveria fajësoi Shtetin Islamik, edhe pse grupi nuk mori përgjegjësinë.
Qeveria e Sharut ka bashkëpunuar prej muajsh me ushtrinë amerikane në luftën kundër ISIL-it, sipas disa zyrtarëve sirianë, por pritet që bashkimi zyrtar me koalicionin të forcojë ndjeshëm bashkëpunimin.
Ky hap shihet gjithashtu si lëvizje kyçe për të fituar besimin e Kongresit amerikan dhe për të nxitur heqjen e sanksioneve të mbetura ndaj Sirisë deri në fund të vitit.
Javën e kaluar, Reuters raportoi se ushtria amerikane po përgatitet për herë të parë të vendosë prezencë në një bazë ajrore në Damask. Një zyrtar i administratës amerikane kërkoi që vendi dhe emri i bazës të mos bëhen publikë për arsye sigurie./Gazeta e Re
















