Ish-ylli i Bundesligës u largua nga futbolli pas tragjedive familjare: “Ishte një vit i tmerrshëm”

Ish-reprezentuesi slloven dhe ish-ylli i Bundesligës, Kevin Kampl (35), gjatë vitit të fundit ka kaluar një nga periudhat më të vështira të jetës së tij.

Ish-futbollisti i Bayer Leverkusenit, Borussia Dortmundit dhe RB Leipzigut sot është larg stadiumeve, ndërsa qetësinë e ka gjetur në një mënyrë krejt tjetër jetese, duke u marrë me kultivimin e pemëve dhe perimeve.

Kampl befasoi shumëkënd kur gjatë afatit kalimtar të dimrit vendosi t’i japë fund karrierës profesionale, ndërsa arsyeja ishte një tragjedi e rëndë familjare që ia ndryshoi këndvështrimin ndaj jetës.

Vëllai i tij, Seki, të cilin e konsideronte mikun e tij më të mirë, ndërroi jetë papritur dhe kjo humbje e goditi rëndë. Për të qenë më pranë familjes, së bashku me bashkëshorten Vanessa dhe djemtë Đordi dhe Luis, u zhvendos në vendlindjen e tij, Solingen.

Megjithatë, vetëm shtatë muaj më vonë humbi edhe babanë, pas së cilës u largua drejt Mallorcas, ku thotë se ka gjetur qetësinë.

“Ishte një vit i tmerrshëm, nuk mund të përshkruhet ndryshe. Jeta duhet të vazhdojë, edhe pse ende është shumë e vështirë të pranojmë gjithçka që ka ndodhur. Qetësia që kemi në Mallorca do të thotë shumë për të gjithë ne”, tha Kampl për gazetën gjermane Bild.

Në rrjetet sociale, ish-futbollisti ka treguar se si e kalon sot kohën. Në fotografitë nga Mallorca, ai shihet me një kapelë kashte mes kulturave bujqësore që i kultivon vetë.

“Kemi pjepra, shalqinj, domate, qepë, speca dhe shumë gjëra të tjera. Gjithçka rritet jashtëzakonisht mirë, ndërsa vaji ynë i ullirit ka shije fantastike”, shkroi Kampl.

Edhe pse është larguar nga futbolli profesionist, ai pranon se sporti vazhdon të jetë pjesë e jetës së tij. Kampl ndjek rregullisht ndeshjet e RB Leipzigut dhe vazhdon të mbajë kontakte me ish-bashkëlojtarët.

I pyetur se ku e sheh veten pas pesë vjetësh, Kampl u përgjigj me buzëqeshje:

“Do të jem trajner te Leipzigu.”

Kategoritë
Sport