Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, ka pranuar se disa nga pengjet që mbaheshin nga grupet palestineze në Rripin e Gazës janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite.
“Bombat tona vranë pengje. Nuk e dinim se ndodheshin aty”, tha Halevi.
Halevi foli të dielën në një konferencë të organizuar në New York nga grupi Shurat Hadin, raporton Middle East Eye. Ai pretendoi se “presioni” ushtarak ndaj Gazës ndihmoi në lirimin e pengjeve, por pranoi se forcat izraelite kishin vrarë disa prej tyre.
Gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, u morën peng 251 persona. Shumica u kthyen më vonë të gjallë përmes shkëmbimeve të të burgosurve me Hamasin. Rreth 87 persona vdiqën gjatë robërisë në Gaza ose u dërguan atje pasi kishin vdekur.
Izraeli më herët fajësonte Hamasin
Autoritetet izraelite më parë nuk u ishin përgjigjur akuzave se disa pengje ishin vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite. Në vend të kësaj, për vdekjen e tyre kishin fajësuar Hamasin.
Gazeta izraelite “Maariv” raportoi në tetor 2025, duke iu referuar zyrtarëve izraelitë, se shumë pengje ishin vrarë gjatë sulmeve izraelite, veçanërisht në fazën fillestare të luftës.
Ushtria izraelite më 7 tetor aktivizoi gjithashtu të ashtuquajturën Direktiva e Hanibalit, një urdhër kontrovers që synon të parandalojë kapjen e ushtarëve izraelitë, edhe nëse kjo mund të rrezikojë jetën e tyre. Sipas mediave izraelite, direktiva u zbatua përgjatë kufirit mes Gazës dhe Izraelit gjatë orëve të para të sulmit.
“Një dështim që mund të ishte parandaluar”
Halevi dha dorëheqjen vitin e kaluar nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Të dielën ai pranoi gjithashtu se sulmi i 7 tetorit ishte “një dështim që mund të ishte parandaluar”.
Megjithatë, ai hodhi poshtë pretendimet se sulmi ishte rezultat i një tradhtie nga brenda.
“Që dikush ta ndihmonte Hamasin, nuk do të mjaftonte bashkëpunimi i vetëm një personi, por do të nevojitej një rrjet shumë i gjerë. Pas tre vjetësh nuk është gjetur asnjë person i tillë”, tha Halevi.
