Ish-piloti i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) të Britanisë së Madhe, Richard Woods, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur në një autostradë, shkaktoi një aksident në të cilin humbën jetën ai dhe edhe katër persona të tjerë.
Hetimet zbuluan se 40-vjeçari Woods po drejtonte një veturë të tipit Škoda dhe me qëllim ishte përplasur me një veturë Toyota. Në Toyotë ndodheshin shoferi Jaroslaw Rossa (42), dy djemtë e tij Filip (15) dhe Dominic (7) si dhe partnerja e Jaroslaw-it, Jade McEnroe (33). Të gjithë ata vdiqën në vendin e ngjarjes. Autoritetet njoftuan se Woods vdiq si pasojë e plagëve të shumta.
Ai kishte shërbyer për 14 vite në RAF dhe më pas kishte punuar si instruktor fluturimi. Hetimet treguan gjithashtu se gjatë jetës kishte përjetuar stres të vazhdueshëm dhe kishte histori të konsumimit të dëmshëm të alkoolit. Ditën e aksidentit ishte shprehur shqetësim për sjelljen e tij në vendin e punës.
Pak para aksidentit, ishte vërejtur duke vozitur në mënyrë të pasigurt, duke mos arritur ta mbante makinën në korsinë e tij dhe duke bërë lëvizje të rrezikshme përmes tre korsive të autostradës. Raportet toksikologjike zbuluan se në gjakun e tij kishte një nivel të lartë alkooli.
Përmes ekzaminimeve forenzike të telefonit të Woods-it, u zbulua se ai kishte kërkuar disa herë informacione për vetëvrasjen. Për këtë arsye dyshohet se ai qëllimisht është përplasur me makinën tjetër për të përfunduar jetën e tij, raporton Sky News.