“Mjeku i Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuar u njoftua menjëherë, ndërsa autoritetet holandeze nisën procedurat dhe hetimet standarde të përcaktuara nga legjislacioni kombëtar holandez”, tha IRMCT
Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale (IRMCT), në përputhje me rregullat, ka nisur një hetim të plotë standard mbi rrethanat e vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, i cili ndërroi jetë gjatë shtrimit në spital në Hagë, transmeton Anadolu.
“Mjeku i Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuar u njoftua menjëherë, ndërsa autoritetet holandeze nisën procedurat dhe hetimet standarde të përcaktuara nga legjislacioni kombëtar holandez”, thuhet në deklaratën e IRMCT-së.
Më tej, thuhet se kryetarja e IRMCT-së, gjyqtarja Graciela Gatti Santana, urdhëroi një hetim të plotë mbi rrethanat e vdekjes, duke ngarkuar gjyqtarin Iain Bonomy me zhvillimin e hetimit.
Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të forcave serbe të Bosnjës u arrestua më 26 maj 2011 dhe pak kohë më pas u transferua në Hagë.
Më 22 nëntor 2017, trupi gjykues i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Më 8 qershor 2021, Dhoma e Apelit e Mekanizmit konfirmoi vendimet e fajësisë dhe dënimin e tij. Në kohën e vdekjes, Mladić ishte në pritje të transferimit në një shtet tjetër për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
– Rreth Mekanizmit
Më 22 dhjetor të vitit 2010, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1966 (2010), me të cilën u krijua mekanizmi për të vazhduar juridiksionin, të drejtat dhe detyrimet, si dhe për të kryer funksionet thelbësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Mekanizmi filloi punën më 1 korrik 2012 në Arusha të Republikës së Bashkuar të Tanzanisë dhe më 1 korrik 2013 në Hagë të Holandës. Gjatë viteve të para, ,ekanizmi funksionoi paralelisht me tribunalet për Ruandën dhe ish-Jugosllavinë.
Pas mbylljes së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën më 31 dhjetor 2015 dhe Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë -së më 31 dhjetor 2017, mekanizmi vazhdoi punën si institucion i pavarur.

















