Irani ka publikuar pamje të reja të një “qyteti raketash”, duke pretenduar se është “një nga qindra qytetet e tilla” që janë nën administrimin e Gardës Revolucionare Islamike, raportoi agjencia Tasnim.
Ky është objekti i tretë i këtij lloji që zbulohet brenda më pak se një muaji.
Gjeneralmajor Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të forcave të armatosura, dhe gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh, komandanti i forcave ajrore-hapësinore të IRGC-së, janë filmuar duke udhëtuar përmes objektit të rrethuar nga qindra raketa.
Në qytet thuhet se mbahen raketat Kheibar Shekan (me rreze 1.448 km), Haj Qassem (2.367 km), Ghadr H (1.995 km), Sejjil (2.494 km) dhe Emad (1.689 km), si dhe raketat lundruese Paveh.
Në pamje gjithashtu shihet Bagheri duke shkelur mbi flamurin e Izraelit të vendosur në dyshemenë e objektit.
“Grushti i hekurt i Iranit është shumë më i fortë se më parë. Dhjetëfish më i fuqishëm se ai në Operacionin True Promise I. Të gjitha dimensionet mbrojtëse të nevojshme janë krijuar për të ndërtuar një kapacitet që është 10 herë më i madh se ai i vendosur gjatë True Promise II… Armiku do të mbetet patjetër prapa në këtë ekuilibër forcash”, tha Bagheri.
Zbulimi i këtij objekti vjen në një kohë përshkallëzimi të kërcënimeve dhe thirrjeve të hapura për luftë nga administrata e Donald Trump dhe regjimi izraelit, çka ka shtyrë Iranin të demonstrojë gatishmërinë e tij ushtarake për mbrojtjen e atdheut, sipas televizionit shtetëror iranian Press TV.
Zbulimi më i fundit i Teheranit erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump dha një ultimatum: pranoni marrëveshjen bërthamore brenda dy muajve të ardhshëm ose përballuni me pasojat.