Zyrtarët policorë në Kosovë kanë urdhëruar punonjësit e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Shëndetësore që të largohen nga objekti, derisa ende nuk dihet nëse ka pasur paralajmërim paraprak për këto veprime
Pjesëtarë të Inspektoratit Komunal në Mitrovicën e Veriut kanë hyrë për inspektim në ambientet e objektit ku ndodhet dega e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore e Serbisë dhe Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Shëndetësore në këtë komunë, me ndihmën e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë vendosur në dhe përreth objektit, transmeton Anadolu.
Siç raportojnë mediat lokale në Kosovë, zyrtarët policorë në Kosovë kanë urdhëruar punonjësit e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Shëndetësore që të largohen nga objekti, derisa ende nuk dihet nëse ka pasur paralajmërim paraprak për këto veprime.
Pas hyrjes së tyre, janë larguar flamujt serb të vendosur në objekt dhe qytetarët aktualisht nuk lejohen të hyjnë në këtë institucion.
Të pranishëm fizikisht në këtë aksion janë edhe disa pjesëtarë të KFOR-it Britanik.
Drejtori i ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një reagim pas këtij aksioni, tha se ky ishte gjithashtu një sulm ndaj sistemit serb të kujdesit shëndetësor dhe pyeti “nëse BE-ja do ta ndalë kryeministrin Albin Kurtin”.
“Policia e Kurtit bastisi Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Shëndetësore dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, institucione jashtëzakonisht të rëndësishme në Serbi që ofrojnë shërbime për një numër të madh njerëzish. Ky është gjithashtu një sulm ndaj sistemit serb të kujdesit shëndetësor”, shkroi Petkoviq.