Infantino mbështet zgjerimin e Kupës së Botës në 64 përfaqësuese, frymëzimin e gjeti te suksesi i afrikanëve

Pas vendosjes së formatit me 48 skuadra, organizata më e lartë e futbollit botëror, FIFA, nuk planifikon të ndalet me kaq.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se pas përfundimit të turneut të këtij viti do të shqyrtohen planet për zgjerimin e mëtejshëm të Kupës së Botës në 64 përfaqësuese, duke theksuar se kjo ngjarje duhet të jetë “për të gjithë botën”.

Propozimi për zgjerimin e mëtejshëm të kompeticionit më të madh të futbollit në botë ishte paraqitur që vitin e kaluar.

Infantino theksoi se suksesi i formatit me 48 skuadra është një tregues i qartë se FIFA duhet të shqyrtojë seriozisht se si do të funksiononte në praktikë një Kupë Bote me 64 përfaqësuese.

Ai e cilësoi Kupën e parë të Botës me 48 skuadra si një “sukses të jashtëzakonshëm”, ndërsa si argumentin kryesor përmendi arritjen historike të përfaqësueseve afrikane.

Në fakt, nëntë nga dhjetë ekipet afrikane arritën ta kalojnë fazën e grupeve dhe të sigurojnë kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

Presidenti i FIFA-s konsideron se zgjerimi i turneut është thelbësor për zhvillimin global të futbollit dhe për ofrimin e mundësive të barabarta për të gjitha kontinentet.

“Në Kupën e Botës para asaj të fundit morën pjesë vetëm pesë skuadra nga Afrika. Kjo tregon më së miri se sa e rëndësishme është të përfshihen të gjitha përfaqësueset dhe t’u jepet kjo mundësi për pjesëmarrje”, theksoi Infantino.

Nëse tifozët e futbollit në të ardhmen do të shohin një turne dukshëm më të madh dhe më të gjatë me 64 përfaqësuese, do të bëhet e ditur pas analizave të hollësishme që do të zhvillohen pas përfundimit të Kupës së Botës të këtij viti.

Kategoritë
Sport