Infantino akuzohet se UEFA i pagoi ish-të dashurës një shumë gjashtëshifrorë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po përballet me akuza të reja, pasi një hetim i ‘Daily Telegraph’ pretendon se UEFA i kishte bërë një pagesë gjashtëshifrore një gruaje me të cilën ai dyshohet se kishte pasur lidhje gjatë kohës kur shërbente si sekretar i përgjithshëm i organizatës evropiane.

Infantino, i cili ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s nga viti 2009 deri më 2016, i ka mohuar kategorikisht këto akuza.

“Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i mohon fuqishëm këto pretendime, të cilat janë kategorikisht të pavërteta”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i tij për Daily Telegraph.

Sipas raportimit, UEFA i ka paguar gruas në fjalë një shumë prej gjashtë shifrash, ndërsa organizata evropiane ka konfirmuar se një pagesë largimi i është bërë personit në fjalë.

UEFA ka sqaruar se pagesa përfshinte edhe mbulimin e shpenzimeve për përfundimin e një programi MBA në një shkollë biznesi lokale. Sipas saj, të gjitha pagesat ishin bërë në përputhje me rregulloret që ishin në fuqi në atë kohë.

Megjithatë, UEFA ka bërë të ditur se rregulloret përkatëse janë forcuar ndërkohë dhe tani janë në përputhje me standardet e një organizate moderne dhe me profil të lartë.
Akuzat e reja vijnë në një periudhë të vështirë për Infantinon, i cili po përballet me presion të shtuar për të ardhmen e tij në krye të FIFA-s, pas planit të dështuar për shitjen e aksioneve në Kupën e Botës te investitorë privatë.

Infantino ka kërkuar falje për “gabimet” e bëra lidhur me këto propozime, por nuk ka dhënë dorëheqje, pasi mori mbështetjen e drejtuesve të lartë të futbollit në një takim të zhvilluar të mërkurën në Marok.

Kategoritë
Sport