Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, ka folur sot edhe për deklarimin e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, se një konferencë ndërkombëtare për dialogun Kosovë-Serbi duket në horizont, meqë ndërkombëtarët janë të lodhur me të dy palët dhe me mungesën e progresit në implementim të marrëveshjeve.
Hovenieri ka thënë se është i befasuar nga një sugjerim i tillë, duke thënë se rreth një viti më parë Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të mirë në Ohër, marrëveshje të cilën SHBA dhe BE e konsiderojnë si ligjërisht të obligueshme.
Ambasadori ka thënë se SHBA nuk sheh nevojë për konferencë ndërkombëtare, por vetëm për vullnet më të fortë politik nga të dy palët për të përmbushur obligimet dhe për të zbatuar marrëveshjet.
Hovenieri ka thënë se duke qenë se është ambasador në Kosovë, mund të flasë për detyrimet që ka Kosova, duker përmendur këtu kërkesën amerikane që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ambasadori ka thënë se nëse do të kishte në Kosovë një Asociacion funksional, çështja e dinarit do të ishte tejkaluar kohë më parë. Ai ka thënë se SHBA është e zhgënjyer që s’ka vullnet politik dhe veprime për zbatim marrëveshjesh.
“Nuk ka nevojë për konferenca. Ka nevojë për vullnet politik dhe veprim që të dyja qeveritë të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre. Dhe ne jemi të zhgënjyer që nuk duket se është kështu”, ka deklaruar ambasadori.