Hetim për “Snajperistët e Fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës: “Mbanin pushkë si të shkonin në gjueti, kishin edhe udhërrëfyes”

Prokuroria e Milanos, në kuadër të hetimeve për të ashtuquajturit “snajperistë të fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës, ka kërkuar qasje në dëshminë e zjarrfikësit amerikan John Jordan, dhënë në vitin 2007 para Tribunalit të Hagës për krime lufte në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Dëshmia e tij, e dhënë më shumë se 18 vjet më parë, është bërë sërish aktuale, pasi mund të ndihmojë në zbardhjen e rolit të shtetasve të huaj – të ashtuquajturve “turistë–snajperistë”, të cilët, sipas dëshmive, paguanin për të vrarë civilë gjatë agresionit kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe rrethimit të Sarajevës.

Jordan ka deklaruar në Hagë se, gjatë qëndrimit të tij në Sarajevë, kishte parë disa persona që nuk dukeshin si vendas.
“Sipas veshjes, armëve që mbanin dhe mënyrës se si lëviznin, ishte e qartë që nuk ishin nga këto anë. I shoqëronin njerëz lokalë, thuajse si udhërrëfyes,” ka rrëfyer ai.

“Po kërkojnë psikopatë”

Në Itali është hapur një hetim për ‘snajperistët e fundjavës’ që paguanin forcat çetnike për të qëlluar mbi qytetarët e Sarajevës.

Jordan tha se pamje të ngjashme kishte vërejtur edhe në afërsi të Mostarit. Ai kishte ardhur në Bosnjë si vullnetar zjarrfikës, për të ndihmuar civilët e goditur nga lufta, dhe gjatë një operacioni shpëtimi kishte mbetur i plagosur.

Kur gjykatësi Patrick Robinson e pyeti nëse kishte mundur t’i dallonte luftëtarët vendas nga të huajt, ai u përgjigj:“Po. Jam i trajnuar të vërej detajet. Dukej qartë që ata njerëz udhëhiqeshin për dore nëpër zona që nuk i njihnin.”

Jordan përshkroi edhe mënyrën se si ishin veshur snajperistët e huaj:“Mbanin një kombinim të rrobave civile dhe ushtarake. Por ajo që i dallonte ishin armët. Luftëtarët lokalë kishin armë të njohura, ndërsa këta të huaj përdornin pushkë që ngjanin me armë gjuetie – si për gjuetinë e derrave të egër në pyjet e Schwarzwaldit – dhe jo me armë për luftime urbane. Ishte e qartë që ishin jashtë kontekstit: të huaj, amatorë, por të rrezikshëm.”

“Paguanin për të vrarë”

Prokuroria e Milanos, nën drejtimin e prokurorit Alessandro Gobbis, synon të mbledhë të gjitha dokumentet dhe dëshmitë që ndodhen në Tribunalin e Hagës për të hetuar mundësinë e përfshirjes së shtetasve italianë në krime gjatë rrethimit të Sarajevës, shkruan La Repubblica.

Sipas informacioneve të disponueshme, hetimi përfshin edhe dokumente të ish-shërbimit italian të inteligjencës SISMI (tani AISI). Bazuar në dëshminë e një ish-agjenti boshnjak, SISMI dyshohet se kishte dijeni për praninë e italianëve në “snajperizimin e fundjavës” dhe në disa raste kishte tentuar të pengonte udhëtimin e tyre drejt frontit.

Në Itali tashmë është hapur zyrtarisht një hetim kundër “snajperistëve të fundjavës”, të cilët gjatë agresionit kundër Bosnjës paguanin forcat okupatore serbe për të qëlluar mbi civilët e Sarajevës.

Prokurorët synojnë të identifikojnë organizatorët e “tureve të fundjavës” dhe individët që paguanin për të vrarë sarajevas të pafajshëm për argëtim.

Hetimi, i cili u raportua fillimisht këtë verë nga Il Giornale, është hapur me akuzën për vrasje me qëllim, me elemente mizorie dhe motive të ulëta.

Rrethimi më i gjatë në historinë moderne

Rrethimi i Sarajevës filloi më 5 prill 1992 dhe zgjati 1.425 ditë, deri më 29 shkurt 1996.
Gjatë kësaj periudhe, qyteti ishte nën bombardime të përditshme dhe zjarr snajperësh nga pozicionet e agresorit serb.

Sipas Qendrës për Kërkime dhe Dokumentim, gjatë rrethimit u vranë më shumë se 11.500 civilë, përfshirë mbi 1.600 fëmijë.
Mesatarisht, mbi qytet binin rreth 330 granata në ditë, ndërsa dita më e rëndë ishte 22 korriku 1993, kur mbi Sarajevë u qëlluan më shumë se 3.700 granata.

Që nga fillimi i rrethimit, agresori tentoi disa herë të ndërpriste qytetin në disa pika për ta vënë nën kontroll të plotë. Megjithatë, forcat e Ushtrisë së Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, me mbështetjen e policisë dhe rezistencës së organizuar qytetare, arritën të mbronin pjesët kyçe të Sarajevës dhe të parandalonin rënien e tij.

Kategoritë
BotaLajme