Haziri: Deputetët e LDK-së janë të lirë që ta shprehin qëndrimin e tyre për presidentin

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se secili deputet i LDK-së është i lirë të shpreh qëndrimin e tij. Haziri në një lidhje direkt në T7 u shpreh se LDK-ja ka qëndrim unik. Duke folur për deputetët skeptik të partisë lidhur me votën për president, Haziri tha se duhet të pyeten deputetët që do të votojnë.

Kryetari i Gjilanit përsëriti atë se secili deputet ka të drejt që lirshëm të votojë.

“Secili deputet secili anëtar i kryesisë ka të drejt me e shpreh qëndrimin e vet, prandaj secili deputet në seancë do ta shpreh mendimin e vet. Kjo është pyetje që duhet t’ua adresoni deputetëve të partisë, asnjë deputet i LDK-së nuk dallon prej tjetrit. Ne kemi qëndrim unik si LDK, dhe deputetët tanë janë të lirë që të shprehin qëndrimin e tyre me votë. LDK i ka dhënë vendit gjithmonë stabilitet institucional, përveç Vjosa Osmanit, emri i dytë nuk është shpall ende”, tha Haziri.

Haziri tha se deputeti Agim Veliu e ushtron rolin e tij si deputet shumë mirë.

“Në frymën kushtetuese rolin e deputetit askush më mirë se Agim Veliu nuk mund ta ushtrojë. Tendenca është me e nda politikën por në këtë frymë LDK do të qëndrojë unike, demokracia e brendshme në LDK është vlerë”, tha ai.

Kandidate për postin e presidentes është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë me listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Kategoritë
LajmeVendi