Haxhiu cakton 6 gushtin për mbajtjen e seancës konstituive

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar 6 gushtin si datë për mbajtjen seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se seanca konstituive është caktuar për në orën 10:00.

Haxhiu, në një konferencë për media, tha se vendimi është marrë në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe pas konsultimeve përkatëse.

““Pas certifikimit të rezultateve, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë se Presidenti e thërret seancën konstitutive të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar qartë se vetëm pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese që lidhen me procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe, siç e dini, ato janë 60 ditë. Pikërisht për shkak të kësaj lidhjeje kushtetuese ndërmjet konstituimit të Kuvendit dhe procedurës së zgjedhjes së Presidentit, kam vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve.

Kam mirëpritur ftesat për takime të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti, dhe kam ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Dhe siç e dini, deri tani janë mbajtur dy takime: një takim me PDK-në, një takim me LDK-në, ndërsa Aleanca nuk i është përgjigjur ftesës për takim.

Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politikanësh për çështjen e Presidentit, kam vendosur që, pra menjëherë pas certifikimit aso kohe, që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe për ndërtimin e një konsensusi.

Prandaj, sot ju njoftoj se seanca konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më datë 6 gusht në orën 10:00, pra ditë e enjte.

Deri atëherë, mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun ndërmjet tyre askush nuk duhet ta shohë si një shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike. Në një demokraci parlamentare, përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i kujt, por u takon të gjithëve. Marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët. Palët duhet të shprehin vullnet për dialog dhe thirrjeve e ofertave do të duhej t’i përgjigjeshin me përgjegjësinë më të lartë. Dialogu nuk mund të jetë një proces njëkahësh dhe as përgjegjësia nuk mund të jetë e njëanshme”, tha Haxhiu.

Ditë më parë një deklaratë për media, ushtruesja e detyrës së presidentes pati thënë se nuk është nxituar të caktojë seancën me arsyetim që partitë të kenë kohë të mjaftueshme për të negociuar rreth zgjedhjes së presidentit.

“Unë i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes zotit Albin Kurti. Siç e dini i ka pas dy takime, njëra me PDK- në, tjetra me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që, sa më parë, këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të vijim dhe arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, tha ajo.

Ajo mohoi të ketë pasur ndonjë marrëveshje mes Kurtit e Lumir Abxhixhikut për formim të institucioneve, përfshirë çështjen e presidentit.

“Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje sigurisht që do ta bënim publike. Në takim ka qenë Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave z. Murati, dhe në anën tjetër Zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, ishte shprehur Haxhiu.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi