Pas një operacioni të ndërlikuar kërkimi, Hamas ka dorëzuar trupat e tre pengjeve izraelitë. Operacioni u zhvillua në zona jashtë asaj që njihet si “Linja e Verdhë”, nën kontroll ushtarak të Izraelit, çka kërkonte koordinim të vështirë dhe të detajuar. Luftëtarët e Hamasit vepruan së bashku me stafin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, duke përdorur gjithashtu makineri të rënda për të nxjerrë trupat nga rrënojat.
Trupat u gjetën në Bani Suheila këtë të diel, ndërsa në lagjen Shujayea, në lindje të qytetit të Gazës, vazhdojnë kërkimet për trupat e tjerë të kapurve izraelitë. Deri tani, tetë të tjerë mbeten ende në Gaza.
Ekspertët, përfshirë zyrtarë të lartë amerikanë, paralajmërojnë se kërkimi për trupat e mbetur do të jetë edhe më i komplikuar, për shkak të sasisë së madhe të rrënojave në Gaza. Sipas tyre, administrata e Trump do të ketë një rol kyç për të çuar përpara një armëpushim të qëndrueshëm, pasi Izraeli lidhet me fazën e dytë të armëpushimit me rikthimin e të gjitha trupave të kapurve.













