Habib u mban leksion amerikanëve: “Kërkoni cirk dhe harroni se kjo është sport”

Legjenda dagestane e MMA-së, Habib Nurmagomedov, u ka dhënë një leksion amerikanëve dhe organizatave amerikane si UFC, duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij me mënyrën se si ata i trajtojnë luftëtarët.

Në deklaratën e tij të fundit, Habib e kritikoi ashpër politikën e UFC-së, duke thënë se drejtuesit e saj preferojnë luftëtarë të prirur për “trash talk” dhe shfaqje, në vend të atyre që janë të përqendruar vetëm te sporti dhe lufta.

Habib Nurmagomedov: “Më vjen keq për promovimet amerikane, sepse nga Dagestani vijnë shumë luftëtarë të uritur. Ata nuk provokojnë, nuk shtiren, nuk flasin marrëzi. Vijnë, fitojnë dhe largohen. Por këtë promovimet nuk e duan më. Sot kërkohet cirku. E kuptoj që kjo është pjesë e biznesit, por kjo duhet të jetë para së gjithash sport.”

Habib shtoi se UFC-së dhe amerikanëve u është mërzitur dominimi i mbiemrave si i tij në skenën e arteve marciale.

“Sipas meje, gjithnjë e më shpesh promovimet vendosin të mos nënshkruajnë fare me luftëtarë nga Dagestani. Shoh se disa organizata po ndjekin këtë politikë dhe thjesht nuk i marrin më, sepse janë lodhur. Të gjithë ata Magomedovë, Nurmagomedovë vijnë në UFC dhe i marrin të gjitha. Vitët e fundit e kanë ndryshuar pak politikën dhe, sinqerisht, kjo nuk më pëlqen.”

Ai theksoi edhe numrin e madh të të rinjve të talentuar në Dagestan:

“Në sallat e mia, kam disa palestra në Dagestan, 500 amatorë stërviten çdo ditë dhe të gjithë duan të jenë si Habibi. Të gjithë duan të jenë kampionë. Të gjithë duan ta pushtojnë botën dhe të gjithë janë të mirë. Çfarë do të bëjmë me ta? Si t’i ndalim?” – pyet ish-kampioni.

Habib, i cili e mbylli karrierën me 29 fitore dhe asnjë humbje, e përfundoi mesazhin duke theksuar se sporti duhet të jetë gjithmonë në vend të parë.

“E kuptoj, në njëfarë mënyre kjo është biznes. Por në fund të ditës, kjo është sport. Sport është, dhe këtë e harrojnë. Një kundër një, hyn vetëm në kafaz dhe shohim kush është më i miri në botë,” përfundoi Habib.

Kategoritë
Sport