Guvernatori i Pensilvanisë: Shpresoj që Netanyahu të humbasë zgjedhjet e ardhshme në Izrael

Guvernatori i Pensilvanisë: Shpresoj që Netanyahu të humbasë zgjedhjet e ardhshme në Izrael

Guvernatori i shtetit amerikan të Pensilvanisë, Josh Shapiro ka shprehur shpresën që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të humbasë zgjedhjet e ardhshme në Izrael, duke theksuar se ai e ka çuar vendin “në një rrugë shumë të rrezikshme dhe të izoluar”.

“Populli i Izraelit, pas disa javësh, do të vendosë se kush duhet të jetë udhëheqësi i tij. Shpresoj që të mos jetë Benjamin Netanyahu”, tha Shapiro të mërkurën gjatë një debati mes kandidatëve për guvernator, ku u përball me kundërshtaren e tij republikane, Stacy Garrity.

Shapiro, një demokrat i njohur me origjinë hebraike, i cili synon një mandat të dytë, sipas një sondazhi të fundit të Universitetit Quinnipiac, kryeson ndaj Garrityt me 25 pikë përqindjeje.

Duke shprehur dëshirën e tij për të parë lidhje “të forta” mes SHBA-së, Izraelit dhe qeverisë izraelite, guvernatori demokrat theksoi se “kjo nuk është e mundur për momentin, për sa kohë qeveria e Netanyahut është në pushtet”.

Izraeli pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare më 27 tetor.

Netanyahu është në krye të qeverisë aktuale që nga fundi i dhjetorit të vitit 2022. Ai përballet me akuza për korrupsion si dhe me një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme