Një nga trajnerët më të mëdhenj të futbollit të të gjitha kohërave, Pep Guardiola, edhe një herë i bëri nderime popullit të vuajtur të Palestinës, këtë herë mbrëmë në Barcelonë.
Guardiola vendosi në qafë kefijen palestineze dhe shprehu mbështetjen e tij për fëmijët palestinezë.
Bëhej fjalë për koncertin humanitar Act x Palestine, ku Pep mbështeti fëmijët në Palestinë që kanë humbur prindërit gjatë gjenocidit që po kryen ushtria izraelite.
“Mirëmbrëma, selam alejkum. Mendoj atë që mendojmë të gjithë kur shoh një fëmijë gjatë këtyre dy viteve në këto pamje në rrjetet sociale, në televizion, duke u filmuar, duke u lutur ‘ku është nëna ime?’ mes rrënojave, ndërkohë që ende nuk e di çfarë ka ndodhur”, tha ai në skenë.
“Dhe gjithmonë mendoj: pse ata duhet të mendojnë kështu? Dhe mendoj se ne i kemi lënë vetëm, të braktisur”, shtoi Guardiola.
Ai kritikoi ashpër më të fuqishmit e botës.
“Të fuqishmit janë frikacakë sepse dërgojnë njerëz të pafajshëm të vrasin njerëz të pafajshëm… ndërsa vetë janë në shtëpi me ngrohje kur është ftohtë dhe me kondicioner kur është vapë”, tha Pep në një fjalim emocional.
“E gjithë kjo ka të bëjë thjesht me njerëzimin. Kjo është ajo që po ndodh në Palestinë”, tha ai, duke u shoqëruar me ovacione nga publiku pas fjalimit të tij treminutësh.
Guardiola edhe më herët ka shprehur publikisht qëndrimet e tij politike dhe ka mbështetur palestinezët në luftën kundër terrorit izraelit.
Federata Angleze e Futbollit e gjobiti atë në vitin 2018 me 20 mijë paund pasi mbante një shirit të verdhë në shenjë mbështetjeje për liderët katalanas të burgosur për pavarësi.
Mbrëmë, në Palau Sant Jordi në Barcelonë, u mbajt koncerti-manifest i madh Act x Palestine si ngjarja përmbyllëse e fushatës ndërkombëtare të solidaritetit me Palestinën, ku performuan më shumë se 30 artistë nga zhanre të ndryshme për të mbledhur fonde dhe për të rritur ndërgjegjësimin për situatën humanitare në Gaza dhe territoret e okupuara.
Në skenë, përveç interpretuesve kryesorë si Bad Gyal, Amaia dhe Morad, u shfaqën edhe mysafire surprizë si Rosalía, ndërsa fjalimi emocional i Pep Guardiolës tërhoqi vëmendjen më të madhe.
Tani Guardiola kthehet në Manchester për të drejtuar City-n të dielën në transfertë kundër Tottenhamit në ndeshjen e Premier League.










