Gruaja e Messit ia ndaloi hyrjen në stadium një modeleje provokuese dhe e bllokoi nga Instagrami i Leos

Bashkëshortja e yllit të Inter Miamit, Lionel Messi, Antonella Roccuzzo, është vënë në qendër të vëmendjes pas pretendimeve se ka penguar modelen braziliane Suzy Cortez të marrë pjesë në finalen e MLS Cup-it, raporton gazeta britanike The Sun.

Messi e udhëhoqi Inter Miamin drejt fitores 3:1 ndaj Vancouver Whitecaps në finale, duke shtuar edhe një trofe tjetër në koleksionin e tij të pasur, por Cortez, e njohur si ish-fituesja e garës “Miss BumBum”, nuk ishte e pranishme në stadium.

Sipas The Sun, Antonella Roccuzzo dyshohet se ka ndërhyrë personalisht për të siguruar që Cortez të mos ketë akses në ndeshjen finale. Modelja pretendon se më herët ishte bllokuar në rrjetet sociale nga Messi, pasi – sipas tabloidit britanik – i kishte dërguar atij mesazhe dhe fotografi të papërshtatshme përmes Instagramit.

Cortez ka shprehur disa herë publikisht admirimin për yllin argjentinas dhe, pasi Messi e bllokoi, ka kritikuar edhe bashkëshorten e tij, duke e akuzuar se i ka ndaluar pjesëmarrjen në një ngjarje sportive publike.

Në një deklaratë për mediat e huaja, Cortez tha se ishte ndjerë “e poshtëruar” nga ndalimi për të ndjekur finalen e MLS Cup-it.

“Askush nuk duhet të pengohet të marrë pjesë në një ngjarje sportive publike për shkak të mosmarrëveshjeve private apo asaj që ndodh në rrjetet sociale”, deklaroi Cortez.

Ajo shtoi se Messi dhe anëtarë të familjes së tij e kanë bllokuar sërish në rrjetet sociale dhe nuk e përjashtoi mundësinë që të përballet me ta gjatë Kampionatit Botëror 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Antonella Roccuzzo ka folur edhe më herët në intervista të ndryshme për rëndësinë e privatësisë dhe stabilitetit familjar. Në një bisedë për revistën Grazia, ajo theksoi se përpiqet të ruajë një jetë familjare sa më normale, pavarësisht famës globale të bashkëshortit të saj.

“Ne jemi si një familje normale. Kemi një rutinë që është shumë e rëndësishme për ne: fëmijët, shkolla, stërvitja, koha e përbashkët. Familja është gjithmonë në vend të parë”, tha Roccuzzo.

Ajo shtoi se është mirënjohëse për mbështetjen që i japin njëri-tjetrit, duke theksuar se marrëdhënia e tyre bazohet në bashkim dhe stabilitet.

Duke folur për jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Roccuzzo nënvizoi se familja është përshtatur mirë me mjedisin e ri pas shpërnguljes nga Evropa.

Messi aktualisht ndodhet në pauzë mes dy sezoneve me Inter Miamin, ndërsa paralelisht po përgatitet për sfida të reja me kombëtaren. Argjentina tashmë i njeh kundërshtarët në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror të ardhshëm dhe kampionët në fuqi planifikojnë të mbrojnë titullin e fituar në Katar.

Kategoritë
Sport