Greqia ndërton “Mburojën e Akilit”: Kontratat me Izraelin arrijnë në 3,5 miliardë euro

Greqia ka miratuar blerjen nga Izraeli të një sistemi shumështresor të mbrojtjes ajrore, me vlerë deri në 3,5 miliardë euro, si dhe furnizimin me disa lloje dronësh dhe avionë ushtarakë transportues C-390 të kompanisë braziliane Embraer, bëri të ditur ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias.

Këshilli grek i Sigurisë Kombëtare, KYSEA, kishte dhënë miratimin fillestar për projektin më herët gjatë këtij viti, ndërsa tani ka miratuar edhe kontratat e furnizimit.

KOMPANITË GREKE DO TË PRODHOJNË TË PAKTËN 25 PËR QIND TË KOMPONENTËVE

Greqia planifikon të krijojë një sistem shumështresor për mbrojtje nga raketat balistike, kërcënimet ajrore dhe dronët, të quajtur “Mburoja e Akilit”.

Bërthamën e sistemit do ta përbëjnë radarët dhe raketat izraelite të kompanive Rafael dhe Israel Aerospace Industries (IAI).

“Sistemi do të jetë gati dhe plotësisht operacional brenda 35 muajve nga sot”, tha Dendias, duke shtuar se kompanitë greke do të prodhojnë të paktën 25 për qind të komponentëve të sistemit.

Greqia aktualisht përdor sistemet amerikane Patriot dhe sistemet e vjetra ruse S-300 për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.

Deri në vitin 2036, Athina planifikon të investojë rreth 28 miliardë euro në modernizimin e forcave të saj të armatosura.

Kategoritë
BotaLajme