Këshilli Qeveritar për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes miratoi paketën, ndërsa sistemi i mbrojtjes ajrore pritet të dorëzohet brenda 35 muajve nga nënshkrimi i kontratës.
Greqia ka miratuar 11 programe të prokurimit të mbrojtjes me një vlerë totale prej 4.2 miliardë eurosh, përfshirë një sistem të integruar të mbrojtjes ajrore të zhvilluar nga Izraeli me vlerë 3.1 miliardë euro, i njohur si “Achilles’ Shield”.
Gazeta greke Ekathimerini raportoi se Këshilli Qeveritar për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes miratoi paketën, ndërsa sistemi i mbrojtjes ajrore pritet të dorëzohet brenda 35 muajve nga nënshkrimi i kontratës.
Sipas raportit, “Achilles’ Shield” do të sigurojë mbrojtje kundër avionëve luftarakë, raketave balistike dhe dronëve.
Sistemi do të integrojë sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore Spyder (All In One), Barak MX dhe David’s Sling, ndërsa sistemet ekzistuese kundër dronëve me mjete jo-kinetike, të vendosura në ishujt e Egjeut lindor, gjithashtu do të përmirësohen.
Sipas marrëveshjes, 12 kompani greke do të marrin pjesë në projekt, pasi negociatat siguruan më shumë se 700 milionë euro punë për industrinë vendase, që përbën rreth 25 për qind të vlerës totale të programit.
Paketa e prokurimeve përfshin gjithashtu rreth 600 milionë euro për blerjen e tre avionëve ushtarak transportues Embraer C-390, përmes një marrëveshjeje ndërqeveritare me Portugalinë, 145 milionë euro për 10 mjete detare speciale VICTA, 100 milionë euro për rezerva raketash Hellfire, si dhe 70 milionë euro për 10 sisteme shtesë pa pilot V-BAT.
Blerjet e tjera të miratuara përfshijnë dronë HERON-1, mikrosatelitë me radar me hapje sintetike (SAR), pajisje për shikim natën për ushtrinë dhe katër sisteme sonare për fregatat e marinës greke të klasës MEKO.













