Gratë në Mal të Zi fitojnë të drejtën për pushim menstrual: Dy ditë pushim të paguar për raste të caktuara shëndetësore

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, me të cilat gratë do të kenë të drejtë në dy ditë pushim të paguar në muaj.

Kjo e drejtë u takon grave që vuajnë nga dismenorrea sekondare, pra cikle menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga shkaqe organike si endometrioza, polipet, miomat dhe gjendje të tjera të ngjashme.

Nismën për ndryshimin e ligjit e kishte dorëzuar që në muajin mars deputetja e pavarur Jevrosima Pejović.

Projektligji, i cili parashikon të drejtën për pushim menstrual për gratë me dismenorre sekondare të diagnostikuar, kishte marrë më herët mbështetje unanime nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe nga Komisioni Legjislativ.

Në arsyetimin e projektligjit thuhet se ndryshimet në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor synojnë rregullimin adekuat të gjendjeve patologjike të diagnostikuara të dismenorresë sekondare, duke eliminuar paragjykimet në vendin e punës dhe duke krijuar një ekuilibër mes shëndetit dhe detyrimeve profesionale të grave, transmeton Vijesti.me.

“Me zgjidhjen e propozuar ligjore, grave me dismenorre sekondare u njihet e drejta për një gjendje të veçantë të paaftësisë së përkohshme për punë. Dismenorrea sekondare nënkupton një gjendje të shoqëruar me simptoma të dhimbshme, të shkaktuara nga një patologji gjinekologjike e diagnostikuar më parë”, thuhet në arsyetim.

Si gjendje e veçantë e paaftësisë së përkohshme për punë do të konsiderohet pushimi mjekësor i marrë për shkak të dismenorresë sekondare të lidhur me gjendje patologjike si endometrioza, miomat, inflamacioni i vezoreve, polipet endometriale, vezoret policistike, ose simptoma të tilla si dhimbja gjatë marrëdhënieve seksuale, dhimbja gjatë urinimit, infertiliteti apo gjakderdhja më e madhe se normalja.

Diagnoza e dismenorresë sekondare përcaktohet nga mjeku specialist.

Gratë e siguruara janë të obliguara që certifikatën mjekësore ta rinovojnë më së largu deri më 31 dhjetor të vitit përkatës dhe t’ia dorëzojnë punëdhënësit deri më 30 janar të vitit pasues.

Kategoritë
LajmeRajoni