Goditje ndaj kartelit të kokainës: Ndërpritet rruga nga Amerika Latine drejt Evropës, sekuestrohen 43 tonë drogë

Goditje ndaj kartelit të kokainës: Ndërpritet rruga nga Amerika Latine drejt Evropës, sekuestrohen 43 tonë drogë

Europoli, në bashkëpunim me agjencitë policore të Spanjës dhe Ekuadorit, ka realizuar një operacion të madh ndërkombëtar me emrin e koduar “Operacioni Kantrabrija”, kundër një prej rrjeteve më të mëdha kriminale të kontrabandimit të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Në aksionin e zhvilluar më 8 tetor 2026, ekipet policore në Ekuador arrestuan 20 persona të dyshuar dhe kryen bastisje në 23 lokacione.

Rrjeti kriminal kishte abuzuar prej vitesh me tregtinë detare globale, duke e përdorur Ekuadorin si pikë kyçe nisjeje për shkak të afërsisë së tij me Kolumbinë, prodhuesin kryesor të kokainës në botë.

Duke vepruar nën mbulesën e kompanive të ligjshme për importin dhe eksportin e frutave tropikale, kontrabandistët fshihnin qindra kilogramë dhe tonë kokainë në ngarkesat me banane që transportoheshin drejt porteve evropiane.

Hetimi tregoi se karteli kishte zhvilluar një infrastrukturë të gjerë: bazat strategjike i kishte në Peru dhe në qendrat kryesore logjistike evropiane në Belgjikë, Spanjë dhe Holandë, ndërsa kishte krijuar lidhje operative dhe financiare edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Hetimi i përbashkët, i cili zgjati disa vite, rezultoi në sekuestrimin e më shumë se 43 tonëve kokainë gjatë 13 operacioneve të mëdha të zhvilluara ndërmjet viteve 2022 dhe 2026. Një pjesë e konsiderueshme e provave dhe informacioneve kyçe u sigurua përmes deshifrimit të komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC.

Ndër goditjet më të rëndësishme ndaj këtij grupi veçohen kapja e afro katër tonëve kokainë në Holandë në dhjetor 2020 dhe sekuestrimi historik i 13 tonëve kokainë në Spanjë.

Komisioneri i BE-së për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, theksoi rëndësinë e këtij operacioni për sigurinë evropiane.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar është forca jonë më e madhe në luftën kundër trafikut të drogës. Rrjetet kriminale nuk njohin kufij, dhe as përgjigjja jonë. Ky operacion tregon se çfarë mund të arrijmë duke punuar së bashku: u sekuestruan 43 tonë dhe u ndërpre një rrugë kryesore e trafikut të drogës drejt Evropës. Çdo ngarkesë që ndalojmë ndihmon në mbrojtjen e komuniteteve tona nga dhuna dhe dëmet”, deklaroi Brunner.

Kategoritë
BotaLajme