Goditje e madhe për Marine Le Pen: Gjykata Kushtetuese në Francë miraton ndalimin e veprimtarisë politike

Gjykata Kushtetuese e Francës vendosi të premten se politikanët lokalë mund të ndalohen nga ushtrimi i funksioneve politike nëse dënohen për krim penal, shkruan Reuters.

Kjo vendim hap rrugën që liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, të përjashtohet potencialisht nga gara presidenciale e vitit 2027, nëse dënohet në çështjen për keqpërdorim të fondeve, vendim i cili pritet të merret të hënën.

Le Pen, e cila udhëheq sondazhet për zgjedhjet presidenciale të ardhshme dhe është lidere e partisë Tubimi Kombëtar (RN), akuzoi prokurorët se po kërkojnë “vdekjen e saj politike” duke kërkuar që gjyqtarët ta përjashtojnë nga jeta politike për pesë vjet nëse shpallet fajtore.

Nëse Le Pen merr ndalimin e ashtuquajtur “ekzekutim i menjëhershëm”, masa do të hynte menjëherë në fuqi edhe nëse ajo do të apelonte vendimin – gjë që do ta përjashtonte nga gara për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Në vendimin e saj, gjykata theksoi se “ekzekutimi i menjëhershëm” i ndalimit për të ushtruar funksione politike nuk shkel të drejtat si liria e shprehjes, dhe për rrjedhojë është i ligjshëm.

Në rastin e Le Pen, prokurorët kërkuan që gjyqtarët të vendosin menjëherë ndalimin pesëvjeçar, pavarësisht mundësisë për apelim, nëpërmjet së njëjtës procedurë të “ekzekutimit të menjëhershëm”.

Ky ndalim nuk do ta largonte Le Pen nga posti i saj aktual në parlament deri në përfundimin e mandatit të saj, por do t’i pamundësonte kandidimin në zgjedhjet e ardhshme.

Le Pen dhe disa anëtarë të tjerë të partisë së saj janë të akuzuar për devijimin e më shumë se tre milionë eurove nga fondet e Parlamentit Evropian për të paguar stafin që punonte për partinë në Francë.

Kategoritë
BotaLajme