Gjyqtari i VAR-it nën hetim pasi shfaqi simbol të dyshuar racist gjatë transmetimit të ndeshjes Gjermani–Curaçao

Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, ka nisur një hetim ndaj gjyqtarit të VAR-it në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Curaçaos në Kampionatin Botëror, pasi ai shfaqi një simbol të dyshuar racist gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv.

Para fillimit të ndeshjes, në transmetim u shfaq dhoma e VAR-it, ku ndodheshin tre gjyqtarë. Detyra e tyre ishte të pozonin për disa sekonda, ndërsa në ekran shfaqeshin emrat e tyre.

Në momentin kur kamera fokusoi dhomën e VAR-it, australiani Shaun Evans bëri me dorën e djathtë një gjest të përmbysur “OK”, i cili në disa raste lidhet me grupet që promovojnë supremacinë e bardhë.

Megjithëse simboli “OK” përdoret zakonisht për të shprehur miratim dhe është i njohur edhe si emoji, shfaqja e tij në mënyrën si e bëri Evans, poshtë belit, konsiderohet nga disa organizata si një veprim me konotacion racist.

Organizata Anti-Defamation League kishte paralajmëruar që në vitin 2019 se ky simbol ishte shndërruar në një “taktikë të njohur provokuese” nga individë të orientuar nga e djathta ekstreme, të cilët shpesh publikojnë fotografi me këtë gjest në rrjetet sociale.

Duke pasur parasysh politikën e tolerancës zero të FIFA-s ndaj racizmit, 38-vjeçari Evans rrezikon të përjashtohet nga turneu nëse vërtetohet se ka pasur qëllim të shfaqë një simbol të supremacisë së bardhë.

Kategoritë
Sport