Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me gjobë prej 4.200 eurosh Ilirijan Krasniqin nga Gjakova, pasi ai është shpallur fajtor lidhur me një koment të publikuar në rrjete sociale.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Asdren Bytyqi, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ku ka njoftuar se është pranuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast.
Sipas njoftimit të bërë publik, Krasniqi kishte komentuar në një postim të Fation Durakut nga Gjakova, duke përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese me përmbajtje fetare.
Në komentin e tij thuhej:
“Fation Duraku u ta dhjefsha fytyrën mor arab po sa xhamia te mutit je ka donë mi ndërtua për një Muhamed pedofili, ka ardh koha kena mu ju vjerr rrugëve bre tradhtar.”
Lidhur me rastin, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit.
Sipas avokatit Bytyqi, i akuzuari e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje, ndërsa Gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me gjobë prej 4.200 eurosh.
Në reagimin e tij, Bytyqi ka përmendur edhe përfaqësues të Lëvizjes për Rikthim, duke i akuzuar ata për përhapje të propagandës përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme.
Ai ka shprehur bindjen se institucionet e drejtësisë do të trajtojnë edhe raste të tjera të ngjashme dhe se askush nuk duhet ta konsiderojë veten të paprekshëm nga ligji.











