Kampi izraelit Sde Teiman duhej të “reformohej” për shkak të akuzave për kushte të tmerrshme ndaj të burgosurve palestinezë, por ushtria izraelite, në përgjigje të kërkesës së gjykatës, thjesht i transferoi të burgosurit në kampe të tjera, raportoi AP News.
Sde Teiman është një kamp i hapur më 1 dhjetor 2023 dhe është bërë i njohur për skandalin e vitit 2024, kur u publikuan detaje rreth kushteve çnjerëzore për të burgosurit palestinezë nga Gaza dhe Bregu Perëndimor.
Siç zbuluan organizata të ndryshme joqeveritare dhe mediat ndërkombëtare, ushtria izraelite ka torturuar të burgosurit palestinezë, përfshirë edhe fëmijë, në mënyra të ndryshme. Në maj të vitit të kaluar u publikua edhe një raport mbi abuzimet seksuale ndaj të burgosurve.
Pas kësaj, autoritetet në Izrael deklaruan se do të ndërmerrnin masa dhe gjykata urdhëroi mbylljen e përkohshme të kampit derisa të përmirësoheshin kushtet.
Megjithatë, ushtria në thelb e injoroi këtë vendim. Të burgosurit u transferuan në kampet Ofer dhe Anatot, ku – sipas AP News – kushtet ishin të njëjta ose në disa raste edhe më të këqija.
Ushtarët izraelitë vazhduan të mohojnë ushqim dhe ujë, të përdorin dhunë fizike dhe forma të tjera torture. Këto informacione i dhanë 30 të burgosur për organizatën izraelite për të drejtat e njeriut Hamoked.
Që nga 7 tetori 2023, kur nisi një valë e re e përshkallëzimit të konfliktit me grupin palestinez Hamas (i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA, BE dhe Izraeli), Izraeli ka arrestuar mijëra palestinezë me arsyetimin se janë “të lidhur me grupe terroriste.”
Pa ngritje aktakuzash, ata kanë kaluar javë, e madje muaj të tërë në paraburgim në këto dhe kampe të tjera të ngjashme në të gjithë Izraelin.