Gjykata e Berlinit do të vendosë së shpejti nëse është i ligjshëm ndalimi i sloganit propalestinez “Nga lumi deri në det,” të cilin autoritetet gjermane e ndaluan pas sulmit të grupit Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar.
Gjykimi në gjykatën e rrethit për një shtetase gjermane me origjinë iraniane, e identifikuar vetëm si Ava M, është një nga disa proceset që janë duke u zhvilluar pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael dhe shkatërrimit të Gazës, të cilat shqyrtojnë kufijtë e lirisë së fjalës në Gjermani.
E akuzuara është e ngarkuar për “miratimin e sulmit të Hamasit” për shkak të përdorimit të sloganit “Nga lumi deri në det, Palestina do të jetë e lirë” gjatë protestës më 11 tetor pranë bulevardit Sonnenallee në rrethin Neukölln në kryeqytetin gjerman.
Miratimi i krimit mund të dënohet me burgim deri në tre vjet ose gjobë.
Zëdhënësja e gjykatës, Lisa Jani, ka konfirmuar se, edhe pse ka pasur rreth pesë raste në Berlin që kanë të bëjnë me “turbullira” dhe “nxitje dhune” në protestat propalestineze, ky është ndoshta rasti i parë që ka të bëjë specifikisht me përdorimin e këtij slogani.
Edhe nëse ajo shpallet fajtore të martën, kjo do të ishte vetëm fillimi i një procesi të gjatë ligjor përmes gjykatave të ndryshme.
“Vendimi nuk do të ishte detyrues – ne jemi gjykata më e ulët,” tha Jani.
Mbështetja për të akuzuarën është paralajmëruar në formë protestash përpara gjykatës.

