Grupet parlamentare të CDU/CSU dhe SPD-së, dy partitë në pushtet në Gjermani, kanë arritur marrëveshje me ministrin e mbrojtjes Boris Pistorius, dhe pritet që së shpejti të votohet zyrtarisht rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm.
Sipas gazetës gjermane Bild, të gjithë meshkujt që kanë mbushur 18 vjeç do të duhet të paraqiten dhe t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore.
Në rast se nuk paraqitet numër i mjaftueshëm vullnetarësh për ushtri, është parashikuar një sistem llotarie për të zgjedhur pjesën tjetër të qytetarëve që do të shërbejnë.
Meshkujt që përzgjidhen për shërbimin ushtarak do të marrin pagë bruto prej 2.600 eurosh, ndërsa ata që zgjasin shërbimin disa muaj më shumë do të përfitojnë bonuse shtesë dhe subvencion për pagesën e kursit të patentës së shoferit.
Qëllimi i ligjit të ri për shërbimin ushtarak, sipas mediave gjermane, është ndërtimi i një rezervë ushtarake prej rreth 200.000 ushtarësh gjatë viteve të ardhshme, të aftë për t’u mobilizuar shpejt në rast të një emergjence kombëtare.
Vullnetarët fillimisht kalojnë trajnimin bazë për detyra rojtarie dhe sigurie, dhe në atë fazë ende nuk konsiderohen si ushtarë aktivë me shërbim të përkohshëm.
Ky status i privilegjuar i ushtarëve, që përfshin edhe mbrojtje të plotë shëndetësore, u jepet aktualisht vetëm vullnetarëve që shërbejnë për më shumë se një vit.
Qëllimi është “vullnetarizëm përmes atraktivitetit”, siç thuhet në marrëveshjen mes CDU/CSU dhe SPD-së.
Procesi i planifikuar i rekrutimit është i detyrueshëm vetëm për meshkujt, të cilët së pari duhet të plotësojnë një pyetësor për gjendjen shëndetësore dhe motivimin e tyre.
Gratë mund të marrin pjesë vetëm vullnetarisht, pasi Kushtetuta gjermane nuk parashikon shërbim të detyrueshëm ushtarak për to.













