Përfaqësuesja e Gjermanisë sonte, në kuadër të Grupit E, e mposhti bindshëm debutuesin e Kampionatit Botëror, përfaqësuesen e Curaçaos, me rezultat 7:1.
Fitorja e skuadrës së drejtuar nga Julian Nagelsmann nuk u vu në dyshim në asnjë moment, ndërsa e vetmja pikëpyetje ishte se me çfarë rezultati do të përfundonte ndeshja.
Katër herë kampionët e botës kaluan në epërsi që në minutën e 6-të, kur Nmecha realizoi një gol të bukur.
Gjermania vazhdoi me sulme dhe krijoi raste të tjera përmes Nmechas dhe Wirtzit, por ata nuk arritën të konkretizonin.
Në minutën e 22-të ndodhi një moment që do të hyjë në historinë e Kampionateve Botërore. Curaçao, kombi më i vogël që merr pjesë në këtë Botëror dhe me vetëm 150 mijë banorë, barazoi rezultatin me anë të Comenencias.
Epërsinë e re për gjermanët e solli Schlotterbeck, i cili në minutën e 38-të shënoi me kokë pas asistimit të Brown.
Deri në fund të pjesës së parë u pa edhe një gol tjetër në rrjetën e Curaçaos, kur Havertz realizoi nga pika e bardhë për rezultatin 3:1.
Vetëm pak çaste pas fillimit të pjesës së dytë, Gjermania krijoi epërsi prej tre golash, ndërsa këtë herë realizoi Musiala.
Gjermanët vazhduan të dominojnë dhe ishte vetëm çështje kohe kur do të shënonin sërish. Kjo ndodhi në minutën e 68-të për rezultatin 5:1, kur realizoi Brown.
Në minutën e 76-të, Gjermania shënoi edhe golin e gjashtë përmes Denis Undav.
Deri në fund, “Elf”-i gjerman arriti edhe golin e shtatë, ndërsa në minutën e 88-të Havertz realizoi sërish.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 7:1 në favor të Gjermanisë, e cila në mënyrën më të mirë e nisi rrugëtimin e saj në këtë Kampionat Botëror.
Në xhiron e ardhshme e pret një sfidë shumë më e vështirë, pasi do të përballet me Bregun e Fildishtë më 20 qershor.
Pas kësaj fitoreje, Gjermania kryeson Grupin E me tri pikë dhe një golavarazh të shkëlqyer.
















