Gjermania “dëboi” grabitësit holandezë drejt Austrisë – vodhën qindra mijëra euro

Policia gjermane kishte besuar se e kishte shpërbërë rrjetin e grabitësve holandezë të bankomateve që vepronin në perëndim të vendit, por duket se ata vetëm e kanë ndryshuar shënjestrën dhe tani po kryejnë grabitje në Austri, shkruan Reuters.

Prej vitesh kjo ishte një dukuri e zakonshme: banditët holandezë udhëtonin deri në Gjermani, shpërthenin bankomate me eksploziv në mes të natës, merrnin paratë dhe ktheheshin me shpejtësi në shtëpi përmes autostradave. Por policia gjermane arriti ta frenojë këtë praktikë.

Sulmet ndaj bankomateve këtë vit ranë në 115 – më pak se një e katërta e kulmit prej 496 sulmesh në vitin 2022, sipas të dhënave të policisë gjermane që Reuters siguroi.

Këto shpërthime terrorizonin banorët në gjithë vendin, ku – ndryshe nga shumë shtete të tjera – përdorimi i parave cash mbetet shumë i popullarizuar, ndërsa bankomatet ndodhen shpesh poshtë ndërtesave të banimit ose në zona këmbësorësh. Që nga viti 2020 dëmi material nga këto sulme ka tejkaluar 400 milionë euro.

“Niveli i kërcënimit në Gjermani mbetet i lartë, sidomos duke pasur parasysh përdorimin e eksplozivëve jashtëzakonisht të paqëndrueshëm,” thuhet në raportin e Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA) të shtatorit.

Tani bandat po udhëtojnë pak më larg – drejt Austrisë – ku përdorimi i cash-it është po ashtu i përhapur. Sulmet në Austri janë dyfishuar këtë vit, çka sipas BKA-së është rezultat i zhvendosjes së kriminelëve nga Gjermania.

Policia holandeze dyshon se qindra persona janë të përfshirë në këto sulme, duke vepruar në grupe që ndryshojnë vazhdimisht teksa të arrestuarit zëvendësohen nga rekrutë të rinj.

Duke konfirmuar zhvendosjen e grupimeve drejt Austrisë, prokuroria njoftoi se një holandez i cili në vitin 2023 vodhi 220.000 euro nga një bankomat pranë Frankfurtit, këtë vit shpërtheu bankomate në Vjenë, duke ikur me 89.000 euro dhe duke shkaktuar 1.5 milionë euro dëme.

Hetuesit thonë se zhvillimi i kësaj metode moderne të grabitjes lidhet me dy faktorë specifikë gjermanë:

  1. Gjermania është vend i pasur dhe qytetarët e saj preferojnë të paguajnë me para fizike, që do të thotë se ka bollëk bankomatësh.

  2. Rrjeti i autostradave gjermane mundëson arratisje të shpejtë.

Bankat gjermane kanë investuar mbi 300 milionë euro në siguri vitet e fundit, sipas Deutsche Kreditwirtschaft, megjithëse kjo shumë është vetëm një pikë në oqean krahasuar me fitimet vjetore të sektorit që kalojnë 50 miliardë euro.

Masat e sigurisë përfshijnë mekanizma që lëshojnë tym të dendur nëse manipulohet bankomati ose bojë speciale që e bën paratë të papërdorshme. Shumë banka tashmë mbyllin ambientet e bankomateve gjatë natës.

Këto vjedhje konsiderohen më pak të sofistikuara se mashtrimet online, të cilat po rriten me ritme të mëdha dhe po sfidojnë policinë në Gjermani dhe globalisht.

Javën e kaluar Gjermania njoftoi arrestime pas një hetimi shumëvjeçar ndaj mashtruesve të cilët, përmes ofruesve gjermanë të pagesave, faqeve të rreme dhe kompanive fiktive, kishin vjedhur mbi 300 milionë euro nga qytetarë në 193 vende.

Land-i Nordrhein-Westfalen, i cili kufizohet me Holandën, ishte më i godituri në vitin 2022 me 182 sulme. Këtë vit numri ka rënë në vetëm 25.

Megjithë rënien e përgjithshme, policia thotë se dëmi kolateral mbetet i madh: një sulm pranë Köln-it në janar shkaktoi 1.8 milionë euro dëme.

Policia ia atribuon suksesin bashkëpunimit me hetuesit holandezë në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Shumica janë holandezë, por ka edhe gjermanë, francezë dhe moldavë.

Policia në landin Hessen, ku ndodhet qendra bankare e Frankfurtit, ka zhvilluar një mjet që parashikon gjasat e një sulmi ndaj një bankomati duke u bazuar në model, lokacion dhe variabla të tjera.

Javën e kaluar parlamenti gjerman votoi për rritjen e dënimeve me burg për këtë lloj krimi.

Në Austri, numri i rasteve u rrit në 29 këtë vit, krahasuar me 13 në vitin 2024, sipas Ministrisë së Brendshme, e cila tha se bandat holandeze u identifikuan për herë të parë në vitin 2023.

Një studim i Bankës Qendrore Evropiane (2024) tregoi se austriakët janë populli që preferon më së shumti pagesën me para të gatshme në eurozonë, çka përkthehet në numër të madh bankomatësh.

Policia austriake tha se ka bashkëpunim të ngushtë me policinë në Gjermani dhe Holandë.

Kategoritë
BotaLajme