Një video e re është shfaqur në rrjetet sociale, duke treguar Sonja Nientiet, një infermiere gjermane e rrëmbyer para shtatë vitesh në Somali, e cila shihet dukshëm e tronditur dhe e plakur.
Në pamjet, Nientiet i drejtohet qeverisë gjermane duke e lutur të ndërmarrë hapa për lirimin e saj. Ajo pranon se shëndeti i saj është përkeqësuar, por thekson se nuk e ka humbur shpresën se do t’i shohë përsëri të dashurit e saj.
Nientiet u rrëmbye më 3 maj 2018 nga kompleksi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Mogadishu, kryeqytetin e Somalisë. Më vonë, autoritetet somaleze zbuluan se në rrëmbim kishte marrë pjesë edhe një roje sigurie e pakënaqur e ICRC-së. Otmiçarët më pas kërkuan një shpërblim që përllogaritet në miliona dollarë.
Zëdhënësi i ICRC-së, Christian Cardon, deklaroi se videoja më e re jep një fije shprese për lirimin e saj. “ICRC do të vazhdojë të punojë pa u lodhur, duke përdorur gjithë ndikimin e vet për një zgjidhje pozitive”, tha ai, duke shtuar se organizata është “thellësisht e shqetësuar” për gjendjen shëndetësore të Nientiet.
Në video, ajo flet anglisht me theks gjerman dhe duket dukshëm më e plakur. Që nga rrëmbimi, pak është raportuar për rastin e saj dhe kjo është vetëm paraqitja e dytë e saj në një video që prej vitit 2018.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se, në parim, nuk komenton raste të rrëmbimeve të shtetasve gjermanë jashtë vendit.
Situata e sigurisë në Somali mbetet e pasigurt për shkak të sulmeve të fundit nga grupi ekstremist al-Shabaab, përfshirë një atentat të fundit ndaj autokolonës presidenciale. Qeveria somaleze ka intensifikuar fushatën ushtarake kundër al-Shabaab.