– Danimarka, Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku Kanadanë dhe Japoninë, rikonfirmuan “mbështetjen e palëkundur” për pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e GJNP-së.
Gjashtë vende evropiane, Kanadaja dhe Japonia shprehën të premten keqardhje për njoftimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke paralajmëruar se masat mund të ndikojnë ndjeshëm në funksionimin e saj, në personelin dhe familjet e tyre, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Danimarkës, Gjermanisë, Francës, Italisë, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me homologun e tyre të Kanadasë dhe atë të Japonisë, thanë se “nuk pajtohen aspak” me njoftimin e Washingtonit.
“Ne, shtetet nënshkruese dhe palë në Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), rikonfirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme dhe të palëkundur për pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e GJNP-së”, thuhet në deklaratë.
Ministrat mirëpritën përgatitjet e gjykatës për t’iu përgjigjur sanksioneve të mundshme, duke thënë se masat do ta ndihmojnë atë të vazhdojë përmbushjen e mandatit të saj sipas Statutit të Romës.
“Megjithatë, nëse zbatohen, këto sanksione do të kenë ndikim të ndjeshëm në punën e gjykatës, në personelin e saj të përkushtuar dhe në familjet e tyre”, paralajmëruan ata.
Tetë vendet u zotuan gjithashtu të zhvillojnë “dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës” me vendet që nuk janë palë në Statutin e Romës, përpara Asamblesë së Shteteve Palë, e planifikuar të mbahet në dhjetor.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mbështetur punën jetike të gjykatës, për të mbrojtur sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe për të avancuar llogaridhënien”, thuhet në deklaratë.