Gërxhaliu: Kosova në krizën më të thellë që nga viti 1999 – Është koha që ekonomia të depolitizohet

Ish- kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Gazeta Blic, ka paralajmëruar për pasojat serioze që po i shkakton vendit kriza e thelluar në raportet me aleatët strategjiikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Gërxhaliu tha se mungesa e dialogut te mirëfilltë me partnerët ndërkombëtarë, por edhe me komunitetin vendor të bizneseve, po e “ngulfat perspektivën ekonomike të Kosovës”.

Ai shtoi se rënia e raporteve bilaterale me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, në ndërkohë qe dikur ishin mbështëtësit më të mëdhenjë të Kosovës, sot është rreziku më i madh që i kanoset Kosovës.

Gërxhaliu e përshkroi situatën si krizë që shkon përtej ekonomisë, duke përfshirë edhe aspektin gjeostrategjik, integrues, social dhe prikologjik. Ai tha se “imazhi i Kosovës është në pikën më kritike që nga viti 1999”.

Poashtu, eksperti i ekonomisë, e vlerësoi si utopike idenë se në këto rrethana mund të pritet zhvillim ekonomik, investitorë të huaj apo investime direkte. Sipas tij, qytetarët po ikin, kapitali po del jashtë, dhe prodhimi vendor po bartet në vende të tjera të rajonit.

“Po largohet prodhimi, po largohet kapitali, dhe qytetarët po largohen nga vendi. Është e pamendueshme të kemi zhvillim ekonomik kur vendi është në një situatë të tillë,” u shpreh Gërxhaliu.

Ai kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj bizneseve vendore, duke e quajtur atë “ngulfatje të perspektivës ekonomike”. Sipas tij, mungesa e mbështetjes për sektorin privat e bën Kosovën gjithnjë e më të varur nga importi.

Sipas tij, ndër faktorët më shqetësues janë edhe masat e Bashkimit Evropian si dhe ndërprerja e partneritetit strategjik me SHBA-të, të cilat i cilësoi si fitore të armiqve të Kosovës.

“Ata që i duan të keqen Kosovës nuk e kanë imagjinuar se do të binim me kaq lehtësi në këtë situatë – që të jemi të padëshiruar edhe nga SHBA-të, edhe nga Evropa,” theksoi ai.

Në fund, Gërxhaliu bëri thirrje për depolitizimin e ekonomisë dhe për rivendosje të raporteve me aleatët strategjikë. Ai kërkoi që politikanët të punojnë për interesin e shtetit dhe të qytetarëve, jo për pushtetin personal.

“Është koha që ekonomia të depolitizohet. Është koha për veprim dhe jo që politika të jetë determinante e çdo procesi,” deklaroi Gërxhaliu, duke shtuar se “pa sakrificë e kompromis nuk ka perspektivë euroatlantike për Kosovën”.GazetaBlic

Kategoritë
LajmeVendi