Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur të martën në takim homologun e saj shqiptar, Igli Hasani, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Pas takimit në një konferencë për media me homologun e saj, Gërvalla ka thënë se ka kënaqësinë të mirëpres në Prishtinë një personalitet që përgjatë gjithë karrierës së tij profesionale ka dëshmuar përkushtim për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Gjatë bisedës që sapo zhvilluam, e urova ministrin për marrjen e detyrës së tij e cila lidhet me përgjegjësi të mëdha jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë kombin shqiptar kudo në botë”, është shprehur kryediplomatja kosovare.
Ajo tutje ka thënë se janë pajtuar se “vetëm unifikimi dhe bashkërendimi i politikave dhe qëndrimeve tona na bëjnë më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe sjell rezultatet konkrete për qytetarët e dy vendeve tona”.
Gërvalla mes tjerash ka thënë se homologun Hasani e ka njoftuar më në detaje për situatën në veri të Kosovës.








