Iraniani Kurosh Sehati, i cili punonte për kanalin televiziv britanik Iran International kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, i është bashkuar tashmë Legjionit të Huaj të Ukrainës.
Sehati është iraniani i parë i njohur që i bashkohet Legjionit të Huaj të Ukrainës. Në Iran, ai ishte aktivist për të drejtat e njeriut dhe ishte arrestuar disa herë për shkak të veprimtarive të tij politike. Në vitin 2004, ai iku nga Irani drejt Turqisë.
Në Turqi ai fitoi statusin e disidentit, dhe më pas u shpërngul në SHBA, ku punoi si përkthyes i gjuhës persiane në radion Zëri i Amerikës, për të cilën më vonë fitoi edhe shtetësinë amerikane.
Sipas Sehatit, ai po mbron Ukrainën nga ajo që ai e quan “klubi i diktatorëve dhe pushtuesve”, duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin dhe aleatëve të tij, përfshirë udhëheqjen klerikale të Iranit, diktatorin bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe regjimet e ashpra të Koresë së Veriut dhe Kinës.
Ai thekson se në vendimin për t’u bashkuar me luftën nuk kanë ndikuar vetëm bindjet e tij politike, por edhe motive personale.