Gazeta turke: Afrimi i Dodikut me Izraelin është përpjekje për të balancuar Turqinë

Gazeta turke: Afrimi i Dodikut me Izraelin është përpjekje për të balancuar Turqinë

E përditshmja turke Star, duke transmetuar një shkrim të agjencisë Anadolu, raporton se afrimi gjithnjë e më i theksuar i Milorad Dodikut dhe Republikës Srpska me Izraelin ka rikthyer në vëmendje çështjen e retorikës separatiste në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas shkrimit, Dodik e viziton shpesh Izraelin, ndërsa në Banja Luka është hapur një zyrë tregtare izraelite. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, shkruan gazeta turke, e ka uruar SNSD-në për rezultatin në zgjedhjet e përgjithshme të 4 tetorit, ndërsa drejtuesit e partisë i ka quajtur “miq të mëdhenj”.

Gjithashtu theksohet se në urimin e tij Netanyahu nuk përmendi Denis Bećirovićin dhe Darijana Filipovićin, ndërsa për Republikën Srpska foli sikur të ishte një shtet i ndarë nga Bosnje e Hercegovina.

Vuk Vuksanović nga King’s College London, në një prononcim për Anadolu, vlerësoi se interesi izraelit është “strategjik” dhe se Izraeli, përmes partneriteteve me shtetet e Evropës Lindore dhe entitete si Republika Srpska, synon të zgjerojë hapësirën e tij të manovrimit dhe të balancojë Turqinë, ndërsa në një masë më të vogël edhe Iranin.

Sipas tij, zyra në Banja Luka i shërben Dodikut për të siguruar mbështetjen e lobit izraelit dhe për të pasur qasje më të lehtë te administrata e Donald Trumpit.

Në të njëjtën kohë, Vuksanović shprehu dyshime se Dodik do ta shpallë vërtet pavarësinë e Republikës Srpska. Ai e konsideron më të mundshme që Dodik, përmes këtyre partneriteteve, të përpiqet të rrisë fuqinë negociuese të Banja Lukës ndaj Sarajevës.

Dodik kishte pretenduar më herët se shpallja e pavarësisë do të mbështetej nga Arabia Saudite dhe Izraeli.

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje e Hercegovinës, Elmedin Konaković, deklaratat e Dodikut nuk i konsideron të denja për vëmendje dhe vlerësoi se ato nuk do t’i dëmtojnë marrëdhëniet mes Bosnje e Hercegovinës dhe Arabisë Saudite.

Kategoritë
BotaLajme