Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka paralajmëruar civilët në të gjithë Lindjen e Mesme që të qëndrojnë të paktën 500 metra larg vendeve ku, sipas saj, “fshihen” ushtarët amerikanë, duke theksuar se vazhdimi i “krimeve” amerikane do t’i bëjë këto lokacione objektiva legjitime.
Në të njëjtën kohë, IRGC u bëri thirrje qytetarëve që pozicionet e reja të forcave amerikane t’i raportojnë përmes kanaleve zyrtare të Gardës Revolucionare.
Paralajmërimi u publikua në komunikatën e 49-të operative të IRGC-së gjatë luftës, së bashku me pretendime të reja se forcat iraniane kanë “shkatërruar plotësisht” një depo të madhe municioni dhe një kazermë në bazën ajrore Ali Al Salem në Kuvajt, si dhe se kanë “eliminuar” një qendër të të dhënave të Amazon në Bahrejn.
IRGC gjithashtu akuzoi Uashingtonin se po fsheh numrin real të të vrarëve dhe të plagosurve në radhët e forcave amerikane.
“Paralajmërojmë të gjithë qytetarët në vendet ku janë dislokuar ushtarë amerikanë që, për sigurinë e tyre, të largohen menjëherë të paktën 500 metra nga vendet ku fshihen ushtarët amerikanë”, thuhet në komunikatën e IRGC-së, të cituar nga agjencia Tasnim.
Garda Revolucionare pretendon se shumë oficerë dhe ushtarë amerikanë, “nga frika e zjarrit iranian”, kanë braktisur bazat e tyre dhe janë zhvendosur në ndërtesa brenda qyteteve, nga ku drejtojnë operacionet ushtarake.
IRGC paralajmëroi se këto lokacione do të bëhen objekt i “hakmarrjes” nëse, sipas saj, vazhdojnë krimet amerikane të luftës.
Në deklaratë, Shtetet e Bashkuara akuzohen për sulme ndaj urave, molove të peshkimit, anijeve civile, automjeteve në lëvizje dhe infrastrukturës hekurudhore, si dhe për vrasjen dhe plagosjen e pelegrinëve që ishin nisur drejt Arbaeenit, pelegrinazhit vjetor në Qerbela, i cili konsiderohet një nga tubimet më të mëdha publike në botë.
IRGC u bëri gjithashtu thirrje banorëve të vendeve ku ndodhen bazat amerikane që “lokacionet e reja ku janë zhvendosur forcat pushtuese amerikane” t’i raportojnë përmes kanalit zyrtar në Telegram dhe faqes së kontaktit në internet.
Në komunikatë, Garda Revolucionare pretendon se lufta filloi pesë muaj më parë me vrasjen e udhëheqjes fetare dhe politike iraniane dhe të 168 nxënësve.
IRGC gjithashtu pretendon se Irani, pas 40 ditësh luftimesh, “me bujari të jashtëzakonshme” nënshkroi një memorandum për armëpushim, por akuzon Uashingtonin se më pas e anuloi marrëveshjen dhe rifilloi luftën 13 ditë më parë.















