Futbollistja më e njohur në botë Alisha Lehmann u zgjodh lojtarja e sezonës te Leicester City Women, edhe pse e nisi vetëm pesë ndeshje si titullare dhe shënoi vetëm një gol gjatë gjithë sezonës.
Edhe kjo është e mundur. Ylli më i madh i futbollit të femrave, e quajtur prej vitesh edhe si futbollistja më seksi në botë, mori mbështetjen më të madhe nga tifozët dhe u votua si lojtarja më e mirë e sezonës te Leicesteri.
Asgjë nuk do të ishte e çuditshme po të mos bëhej fjalë për një sulmuese që gjatë gjithë sezonës arriti të shënojë vetëm një gol. Si titullare, ajo luajti vetëm pesë ndeshje që nga transferimi në këtë klub në janar.
Ylli zviceran realizoi vetëm një gol në nëntë paraqitje në Premier Ligën e femrave, ndërsa “Dhelprat” ranë nga liga.
Edhe më interesante është fakti se Lehmann humbi çdo ndeshje që luajti për Leicesterin, por tifozët megjithatë e zgjodhën si lojtaren e tyre më të mirë.
Ajo gjithashtu fitoi çmimin për golin e sezonës në ekipin e femrave për golin e saj të vetëm kundër ish-klubit Aston Villa Women në mars. Që nga ardhja në klub, ajo ka luajtur vetëm 415 minuta.
Megjithëse paraqitjet e saj në fushë nuk flasin në favor të 27-vjeçares zvicerane, duket qartë se popullariteti i saj në rrjetet sociale ka luajtur rol vendimtar.












